Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me palët në Kosovë pas aksioneve të fundit të Policisë në veri ku u mbyllën pesë institucione paralele.
Sipas tij, situata në veri është e paqëndrueshme dhe se shqetësimi i tyre është se veprime të tilla të pakoordinuara mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës.
“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me palë të ndryshme në Kosovë, në nivele të ndryshme e formate të ndryshme, dhe po i përcjellim mesazhet dhe pritjet tona qartazi. Nuk do të përsëris se çka kam thënë në reagimin tonë të javës së kaluar, kur aksioni në veri të Kosovës u zhvillua kundër këtyre institucioneve që udhëhiqeshin nga serbët atje. Por, thelbi është se kemi një situatë që është tashmë e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor është, që është edhe mesazhi ynë kryesor për autoritetet në Kosovë: shmangni çfarëdo veprimi/hapi, që janë të pakoordinuar dhe mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më tej”, ka deklaruar Stano para mediave.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.