Pas 15 vjetëve nga shpallja e pavarësisë, Kosova vazhdon të luftojë për njohje ndërkombëtare të statusit të saj si shtet i pavarur dhe sovran. Pas një lufte të përgjakshme në fund të viteve të 90-ta midis shqiptarëve etnikë dhe regjimit serb, një administratë e OKB-së ishte e vendosur në Prishtinë, deri në shpalljen e pavarësisë. Serbia vazhdon ta shohë veten si sundimtare të ligjshme mbi territorin e Kosovës, duke bërë që statusi i saj aktual të mbetet i qëndrueshëm, por i pazgjidhur.
Shumë shtete e kanë njohur Kosovën deri tani. Faqja e internetit e Ministrisë së saj të Jashtme liston 115 anëtarë sovranë të OKB-së që e kanë njohur atë. Serbia ndërkohë ka pohuar se përpjekjet e saj për të bindur vendet që ta tërheqin atë njohje kanë qenë të suksesshme në rreth disa raste.
Me afërsisht 100 njohje nga 193 anëtarë të rregullt të OKB-së, Kosova zë një pikë të mesme midis vendeve dhe territoreve me njohje të pjesshme në OKB. Megjithatë, Kosova nuk e ka as statusin e vëzhguesit në Kombet e Bashkuara, ndërsa synon anëtarësim të plotë, gjë që duhet të kalojë në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, ku kundërshtojnë Rusia dhe Kina.
Fenomeni i njohjeve të pjesshme shpesh rrjedh nga një konflikt midis dy vendeve ose dy qeverive për një territor, si në rastin e Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, si dhe Kinës dhe Tajvanit. Të katër janë pjesërisht të njohura brenda OKB-së: Ndërsa Koresë së Jugut i mungon njohja nga Koreja e Veriut, këta të fundit nuk njihen si shtet nga fqinji i tyre jugor dhe gjashtë anëtarë të tjerë të OKB-së, mes tyre Japonia, Izraeli, Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Të dyja vendet vazhdojnë ta shohin veten si sundimtarë të ligjshëm në gjithë gadishullin Korean, ngjashëm me rastin e Kinës dhe Tajvanit, që konsiderohet qeveri kineze në “egzil”. Megjithatë, vetëm 13 vende e njohin Tajvanin. Për dallim nga rasti i Koresë, asnjë vend nuk i njeh të dyja pretendimet në çështjen mes Kinës dhe Tajvanit.
Në konfliktin territorial ndoshta më të gjatë nga të gjithë, Izraeli ka 165 njohje – ndërsa ato rreth 30 që mungojnë janë vende myslimane. Palestina ndërkohë numëron 138 njohje, ndërsa nuk e njohin kryesisht vendet perëndimore.
Türkiye nga ana tjetër e njeh Republikën Turke të Qipros Veriore dhe nuk e njeh Republikën e Qipros.
Abkhazia dhe Osetia e Jugut - republika separatiste në territorin e Gjeorgjisë - njihen vetëm nga Rusia dhe katër aleatët e saj, Siria, Nikaragua, Venezuela dhe kombi ishullor i Paqësorit, Nauru. Nga ana tjetër, asnjë prej aleatëve të Rusisë nuk i ka njohur rajonet e Ukrainës për të cilat Moska pretendon pavarësi dhe aneksim.