Sulmi i Banjskës, Kurti dhe Gërvalla takuan diplomatët e akredituar në Kosovë / Foto: AA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, kanë pritur në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist i datës 24 shtator mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla i njoftuan diplomatët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit të njëjtë, Kurti dhe Gërvalla theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.​

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Gjatë ditës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se rasti në Banjskë bëri të ditur nevojën për bashkëpunim edhe më të madh ndërkombëtar të Kosovës për ruajtjen e kufirit të saj me Serbinë.

AA