Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar të hënën në Bistricë të Leposaviqit, nga një veturë që nuk u ndalua për kontroll rutinë.
Incidentin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila thotë se ka hapur zjarr ndaj të dyshuarve me qëllim që ta neutralizojë rrezikun ndaj tyre. Të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.
“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lista Sërpska, partia e serbëve të Kosovës, ka dënuar incidentin dhe ka njoftuar se një person, Millan Deleviq, ka mbetur i plagosur.
Ndërkohë, edhe Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se gjatë të shtënave nga pjesëtarë të policisë speciale ROSU ndaj veturës me dy serbë, njëri prej tyre është plagosur.
“Deleviq është goditur në pjesën e kraharorit të majtë dhe ka një plagë me armë zjarri me të cilën është transportuar urgjentisht në spitalin e Kraljevës. Bashkëdrejtuesi i tij Dushan S. fatmirësisht nuk është lënduar.
Sipas policisë, njësiti policor ka qenë i caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës.