Sveçla me homologun turk: Thellim bashkëpunimi në siguri dhe teknologji      /Foto: Xhelal Sveçla - FB

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Xhelal Sveçla është pritur sot në takim në Ankara nga homologu i tij turk Ali Yerlikaya, me të cilin ka diskutuar mbi sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë.

Në një postim në Facebook, ministri Sveçla shkruan se Kosova që nga shpallja e pavarësisë e tutje ka gëzuar përkrahjen e Türkiyes, e veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike.

“Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për marrëdhënien e shkëlqyeshme si dhe diskutuam sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë në të cilat Türkiye ka shënuar arritje mbresëlënëse”, shkruan Sveçla.

Ai ka shprehur interesimin që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të shtrihet edhe në ekspertizat specifike, të cilat do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Kosovë.

Kosova Press