Tajlanda është vendi i radhës që ka hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, tha se ky është një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës kosovare.
“Nga sot, qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Tajlandë. Ky është edhe një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës së Republikës sonë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi ministrja Gërvalla.
Gërvalla tha po ashtu se kjo arritje reflekton përkushtimin kosovar të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës.
Nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës pas shumë vjet pritje kanë të drejtë të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen, ndërsa disa ditë më vonë regjimin e vizave për Kosovën e hoqi edhe Spanja e cila nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.