Të shtëna me armë zjarri në drejtim të policisë në Veri të Mitrovicës  Foto: AA Archive

Policia e Kosovës njofton se persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të Kosovës, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit. "Njësitet policore në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu, bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri", thuhet në kumtesën e policisë së Kosovës. Sipas asaj që thuhet në kumtesë, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar a dëme të mundshme të shkaktuara.

"Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues", thuhet më tej në kumtesën e policisë. Lidhur me zhvillimet e fundit në Veri ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai nëpërmjet një statusi në rrjete sociale është shprehur se ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion.

"Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së", ka shkruar Kurti. Sipas Kurtit, Serbia dëshiron një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. "Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-ja), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe e Kinës). Kosova është shtet evropian, demokratik dhe proamerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, proaziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi", vazhdon më tej Kurti. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, sipas Kurtit, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak. "Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-së i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës", ka shkruar Kurti. Ndërkohë Kurti njoftoi se Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia.

"Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë", përfundoi Kurti.

TRT Balkan