Vazhdon protesta në Zveçan, situata është e qetë / Foto: AA

Në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës qytetarët serbë kanë vazhduar protestën e tyre paqësore ndërsa ushtarët e KFOR-it sigurojnë ndërtesën e komunës dhe janë të vendosur në 5 lokacione të tjera.

Në rrugën kryesore, rreth 50 metra nga objekti i komunës, vazhdon të jetë i vendosur gardhi metalik dhe telat me gjemba, pas të cilit qëndrojnë ushtarët e pajisur me pajisje të plota, por se janë më pak se në ditët e kaluara.

Ushtarët e KFOR-it që nga dita e djeshme janë dislokuar në 5 pika të tjera të qytetit, pas kërkesës së kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, për të shtuar praninë e tyre në rrugët përreth dhe në hyrje të qytetit.

Punonjësit e komunës së Zveçanit, të cilët nga e premtja nuk kanë mundur të hyjnë në objektin e komunës, nënshkruhen në rrugë në fillim dhe në fund të orarit të punës. Në Zveçan shkollat ​​janë mbyllur që nga e hëna, ndërsa në protestë po merr pjesë edhe stafi mësimdhënës.

Protesta po vijon e qetë ndërsa qytetarët e mbledhur janë ulur në stola të vendosura nën çadra të mëdha.

Që nga e hëna qytetarët serbë vazhdojnë të protestojnë në tri komuna në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kërkesat e tyre janë që forcat speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga ndërtesat e komunave dhe kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të mos vijnë në objektet e komunave në fjalë.

Të premten shpërthyen përleshjet kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët që të hyjë në ndërtesën e komunës në Zveçan. Më pas, të hënën, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën 30 ushtarë ndërkombëtarë dhe dhjetëra protestues.

Lista Serbe në fillim të muajit nëntor braktisi të gjitha institucionet e Kosovës në veri për shkak të vendimit për riregjistrimin e detyrueshëm të automjeteve nga targat serbe në RKS dhe si rrjedhojë u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme. Komuniteti serb i bojkotoi zgjedhjet, kështu që pjesëmarrja e votuesve ishte më pak se 4 për qind dhe kandidatët shqiptarë u zgjodhën kryetarë komunash.

AA