Aktori britanik: Kur sheh fotot nga Gaza është zemërthyese / Photo: AA

Aktori britanik, fitues i çmimit Emmy, Tobias Menzies, i cili luan rolin e burrit të mbretëreshës Elizabeta, mbretin Philip në serialin televiziv "The Crown" rreth familjes mbretërore, deklaroi se situata në Gaza është zemërthyese dhe se imazhet e të vrarëve në sulmet izraelite e shqetësojnë shumë.

Menzies, i cili është i njohur në opinionin botëror për rolet e tij në serialet televizive "Game of Thrones" dhe "The Crown", ka folur për Anadolu rreth situatës në Gaza dhe ka dërguar një mesazh për banorët e Gazës.

Të shtunën në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, ai mori pjesë në "marshin e qetë" të organizuar nga punonjësit e shëndetësisë për Palestinën dhe me këtë rast tha se ai vetë dëshironte të solidarizohej me punonjësit e shëndetësisë, shumë prej të cilëve humbën jetën në Gaza.

"Kjo është diçka që do të thotë shumë për mua. Vitet e fundit kam bërë disa punë për organizatën humanitare 'Ndihma Mjekësore për Palestinezët' dhe kam qenë në Bregun Perëndimor shkurtin e kaluar. Kam qenë me punonjësit mjekësorë në territoret e pushtuara", tha Menzies për AA.

Ai përkujtoi se për shkak të sulmeve izraelite në Gaza në javët e kaluara, infrastruktura mjekësore në rajon është dëmtuar dhe shumë punëtorë shëndetësorë janë vrarë. Menzies tha se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj.

I pyetur se si ndihet kur sheh imazhet e të vrarëve në Gaza, Menzies tha: "Këto imazhe më trishtojnë shumë. Prandaj doja të vija këtu sot. Kjo situatë kërcënon shumë të ardhmen e popullatës në Gaza dhe e vështirëson ofrimin e ndihmës mjekësore për civilët e plagosur. Ajo që po ndodh është shumë shqetësuese".

Kur u pyet për të komentuar vendosjen e censurës ndaj të famshmëve që mbështesin Palestinën dhe nëse ka frikë se ai vetë do t'i nënshtrohet censurës për mbështetjen e Palestinës, Menzies u përgjigj:

"Mendoj se e gjithë kjo është vendim personal. Po kalojmë një periudhë shumë të ashpër politikisht. Vështirë është të jesh në anën (e Palestinës në një mjedis të censuruar), por e ndiej se është shumë e rëndësishme të flasim për çështjet themelore të së drejtës ndërkombëtare në kontekstin e mënyrës se si po zhvillohen konfliktet".

Ai vuri në dukje se përfundimisht nevojitet zgjidhje në rajon dhe se mbështet një zgjidhje afatgjate. "Unë nuk mendoj se shkelja e ligjit ndërkombëtar (në Gaza) do t'i shërbejë ndokujt", thekson Menzies.

Aktori i famshëm tha se për zgjidhjen e konfliktit të kahershëm politik në rajon fillimisht duhet të ndalen sulmet ndaj Gazës, në mënyrë që ndihmat, veçanërisht ushqimi, uji dhe ndihma mjekësore, t'u dërgohen civilëve. "E gjithë kjo duhet të ndodhë në një afat të shkurtër dhe përfundimisht zgjidhja paqësore është hapi i parë drejt gjetjes së zgjidhjes politike. Zgjidhja nuk mund të arrihet me luftë. Ky vendim duhet të jetë politik", tha Menzies.

"Kjo është një situatë shumë shqetësuese. Dua të them se më vjen shumë keq. Ne jemi vërtet në solidaritet me ta dhe ndiejmë dhimbjen e tyre. Kaq shumë fëmijë, familje, civilë janë prekur nga ky konflikt dhe kur sheh këtë është zemërthyese", u shpreh aktori britanik.

TRT Balkan / agjencitë