Përplasjet me fraksionet në Liban, përfshirë Hezbollahun, filluan pasi Izraeli nisi një fushatë gjenocidale në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, në të cilën Izraeli ka vrarë rreth 42.400 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga sulmi i fundit i Hamasit vitin e kaluar.
Agresioni izraelit kundër Libanit që nga 8 tetori 2023 ka rezultuar në 2.464 të vdekur dhe 11.530 të plagosur, duke përfshirë një numër të madh grash dhe fëmijësh, si dhe më shumë se 1,34 milion banorë të zhvendosur, raportoi Ministria libaneze e Shëndetësisë të dielën.
Por, a ka nisur ky konflikt mes dy shteteve pas ofensivës izraelite në Gaza?
Çfarë duhet të dini për konfliktin libanezo-izraelit?
Ndërsa tensionet kanë tendencën të përshkallëzohen në rajon, ja çfarë duhet të dini për historinë e konfliktit libanezo-izraelit.
Viti 1948 mund të konsiderohet si origjina e këtij pushtimi sionist që u shfaq në fund të shekullit të 19-të, pas mandatit britanik mbi Palestinën dhe planit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1947 për ndarjen e Palestinës.
Në kundërshtim të formimit të shtetit Izraelit vendet arabe (Egjipti, Siria, Jordania, Iraku dhe Libani) shpallën luftë kundër Izraelit, ku përkrah tyre u pozicionua edhe Libani. Megjithatë, kjo u regjistrua si një luftë e humbur për arabët.
Pas krijimit të Izraelit në 1948, i njohur për palestinezët si Nakba ose katastrofa, refugjatët palestinezë vërshuan përtej kufirit në Liban.
Pasi Libani u bë shtëpia e një numri të konsiderueshëm refugjatësh palestinezë pas vitit 1948, krijimi i grupeve të rezistencës u rrit përgjatë viteve, nga ku përdorën Libanin si bazë operacionesh për të sulmuar Izraelin, ndër grupet më të njohura ishte edhe Organizata për Çlirimin Palestinez (PLO).
Që atëherë, tensionet midis Izraelit dhe Libanit kanë vazhduar të rriten, sepse, sipas Izraelit, qëllimi i pushtimeve ka qenë shpërbërja e PLO-së, dhe grupeve të tjera të mundshme të rezistencës.
Për të krijuar një pamje më të gjerë të gjenezës së konfliktit Izrael - Liban - Hezbollah le të kthehemi në vitin 1979:
Në vitin 1978, Izraeli nisi një invazion tokësor në territorin libanez si hakmarrje të një sulmi palestinez në një autobus në Izrael që la të vdekur 35 izraelitë dhe dukej se synonte të prishte bisedimet e paqes izraelito-egjiptiane në atë kohë.
Sulmuesit palestinezë ishin nisur nga Libani jugor, duke u dhënë komandantëve izraelitë një motiv për të shtyrë PLO-në përtej lumit Litani, lumi më i gjatë i Libanit.
Trupat izraelite pushtuan Libanin jugor në mars 1978, duke përdorur mbështetje masive ajrore dhe detare dhe duke u koordinuar me një milici të krishterë maronite libaneze. IDF-ja thotë se shkatërroi infrastrukturën e PLO-së dhe vrau 300 luftëtarë palestinezë në ofensivën njëjavore. Por, disa historianë vlerësojnë se mbi 1.000 civilë u vranë dhe dhjetëra mijëra u zhvendosën.
Megjithatë, historia u përsërit sërish disa vite më vonë.
Invazioni i parë izraelit në Liban
Në vitin 1982, një palestinez i armatosur tentoi të vriste ambasadorin e Izraelit në Britani, gjë që dha justifikimin përfundimtar për Izraelin për të nisur invazionin e tij në Liban.
Më 6 qershor 1982, forcat izraelite hynë në Liban nga toka, deti dhe ajri, duke synuar Luginën Beqaa në lindje, Bejrutin në perëndim dhe kampet e refugjatëve palestinezë në jug.
Për dy muaj, Bejruti duroi një rrethim të pamëshirshëm, me ujë dhe energji elektrike të ndërprerë. Pushtimi izraelit rezultoi në vdekjen e rreth 17.000 deri në 19.000 libanezëve, palestinezëve dhe sirianëve, duke përfshirë mbi 3.000 civilë, pa harruar edhe refugjatët palestinezë të vrarë në Sabra dhe Shatila.
Përsëri, qëllimi i invazionit Izraelit në tokat libaneze ishte shpërbërja e Organizatës për Çlirimin Palestinez (PLO), e cila ishte akoma aktive në Liban gjatë kësaj kohe.
Një forcë rezistence e lindur nga pushtimi izraelit
Po në këtë vit, në përgjigje të këtij pushtimit izraelit u formua Hezbollah, si një forcë rezistence në Libanin jugor.
Hezbollahu, një grup i armatosur shiit me lidhje të forta me Iranin, u bë i njohur pas zhvendosjes së detyruar të PLO-së në Tunizi pas pushtimit të vitit 1982.
Që në fillim, Hezbollahu mori mbështetje të fortë nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila i ishte nënshtruar revolucionit të vitit 1979 dhe po kërkonte të zgjeronte ndikimin e saj në gjithë Lindjen e Mesme.
Në vitin 1985, pas pushtimit izraelit, Hezbollahu lëshoi "Letër të Hapur", ku grupi parashtroi qëllimet dhe parimet e tij.
“Supozimi ynë kryesor në luftën tonë kundër Izraelit është se Izraeli është një armik që duhet zhdukur nga ekzistenca”, thuhej në letër.
Hezbollahu e identifikoi Izraelin si një forcë të paligjshme dhe pushtuese që duhej të luftohej përmes rezistencës së armatosur. Ky qëndrim ka mbetur një parim qendror i ideologjisë së Hezbollahut:
“Lufta jonë do të përfundojë vetëm kur ky entitet (Izraeli) të zhduket.”
Lufta Shtatëditore e vitit 1993
Në korrik 1993, Izraeli sulmoi Libanin në atë që e quajti “Operacioni i Llogaridhënies”, i njohur si Lufta Shtatë Ditore në Liban.
Sulmi erdhi pasi Hezbollahu u përgjigj ndaj sulmeve izraelite në një kamp refugjatësh dhe një fshat në Liban duke sulmuar Izraelin verior, ku pati viktima.
Konflikti vrau 118 civilë libanezë dhe plagosi 500 të tjerë, dhe shkatërroi mijëra ndërtesa.
Lufta e dytë Izrael - Liban në 2006
Konflikti më i fundit dhe më i përgjakshëm në shkallë të gjerë midis Hezbollahut libanez dhe ushtrisë izraelite ndodhi në vitin 2006.
Këtë vit, Hezbollahu rrëmbeu dy ushtarë izraelitë, duke shkaktuar një luftë që zgjati 34 ditë me Izraelin që bombardoi fort bastionet e grupit në Libanin jugor dhe Bejrut.
Sulmet ajrore shkatërruan të paktën 15.000 shtëpi dhe mbi 30 zona kritike të infrastrukturës, duke përfshirë aeroportet, portet, termocentralet, rafineritë e naftës dhe 80 ura. Rreth 1.200 civilë libanezë dhe 180 anëtarë të Hezbollahut u vranë.
Përshkallëzimi i luftës Izrael - Liban paralel me gjenocidin në Gaza
Në tetor 2023, me fillimin e gjenocidit të Izraelit në Gaza, Hezbollahu filloi të ndërhynte me sulme kundër Izraelit nga Libani, me pretendimin se ishte në solidaritet me palestinezët, ndërsa Izraeli shkeli hapësirën ajrore libaneze më shumë se 22.000 herë nga viti 2007 deri në 2022.
Ndërkohë, më 23 shtator të këtij viti Izraeli nisi invazionin e fundit Operacionin Shigjetat e Veriut kundër Libanit me pretekstin se po godet infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut.
Operacioni vjen më pak se një javë pasi pejxherët dhe radiot e përdorura nga Hezbollah shpërthejnë në të gjithë Libanin në një sulm që grupi fajëson Izraelin.
Ndërsa, sulmet e Iranit ndaj Izraelit mbrëmjen e 1 tetorit kanë përshkallëzuar ndjeshëm situatën, duke ngjallur tensione në lidhje me një zgjerim të mundshëm të fushëbetejës në Lindjen e Mesme.