Dhjetëra të vdekur e të plagosur nga sulmet izraelite në Gaza / Photo: AA

Një numër i madh palestinezësh u vranë dhe u plagosën në sulmet e kryera gjatë natës nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite vazhdoi sulmet e saj në kampet e refugjatëve Al-Nuseyrat dhe Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, kampin e refugjatëve Jabalia në veri dhe qytetet Khan Younis dhe Rafah në jugu.

Dhjetëra persona u plagosën dhe të paktën 17 të tjerë kryesisht fëmijë humbën jetën në sulmin që avionët luftarakë izraelitë kryen ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Al-Maghazi ku ishin strehuar familjet e zhvendosura. Po ashtu, si pasojë e sulmit u dëmtuan edhe shtëpitë përreth.

Ndërsa në sulmin ajror të ndërmarrë ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Nuseirat humbën jetën katër palestinezë.

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulm ajror edhe ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Al-Shabura në qytetin Rafah në jug. Në sulm humbën jetën të paktën gjashtë persona, si dhe u plagosën shumë të tjerë.

Të vdekurit dhe të plagosurit në këto sulme që shënjestruan zona të ndryshme në Khan Younis filluan të dërgohen në orët e para të mëngjesit në spitalin Nasser në qytet.

Që nga fillimi i ofensivës në Gaza më 7 tetor, Izraeli ka vendosur një bllokadë të rreptë në Rripin e Gazës, duke ndërprerë ujin, energjinë elektrike, ushqimin, ilaçet dhe ndihmën humanitare, duke lënë të bllokuar 2,2 milionë qytetarë që jetojnë në enklavën e rrethuar.


TRT Balkan / agjencitë