Forcat izraelite goditën rëndë gjatë ditës së sotme fotoreporterin e Agjencisë Anadolu (AA) Mustafa Alkharuf, i cili po kryente detyrën e tij në Kudsin Lindor të pushtuar.
Ngjarja ndodhi pasi një grup palestinezësh u mblodhën për t'u falur në lagjen Wadi al-Jawz pranë Xhamisë Al-Aksa për shkak të kufizimeve që forcat izraelite kanë vendosur prej dhjetë javësh për faljen e namazit të xhumasë në xhaminë e shenjtë.
Policia izraelite, e cila ngriti barrikada në zonë, fillimisht i drejtoi armën fotoreporterit të AA-së, Alkharuf, i cili po ndiqte ngjarjen në ato momente, dhe më pas e rrëzoi në tokë dhe e goditi me shkelma.
Për shkak të goditjeve, Alkharuf pësoi lëndime në fytyrë dhe në trup, ndërsa u dërgua me ambulancë në Spitalin Makassed në Kudsin Lindor.
Policët izraelitë gjithashtu sulmuan edhe kameramanin Faiz Ebu Rumeyle që ndodhej pranë Alkharufit.