Raport: Izraeli rrënoi 303 ndërtime palestineze nga fillimi i vitit / Foto: AA Arkiv / Photo: AA Archive

Në gjysmën e parë të këtij viti, Izraeli ka shkatërruar 303 ndërtime palestineze dhe ka konfiskuar rreth 4.400 hektarë tokë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas një raporti të publikuar nga Këshilli Kundër Murit të Ndarjes (Muri i Turpit) dhe Vendbanimeve Kolone pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në lidhje me shkeljet e Izraelit në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, forcat izraelite kanë kryer 256 rrënime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar.

Gjatë kësaj periudhe janë rrafshuar me tokën 303 ndërtime, përfshirë një shkollë palestineze. Për shkak të rrënimit, 543 persona kanë mbetur të pastrehë, përfshirë 272 fëmijë.

Në të njëjtën periudhë, ushtria izraelite ka dërguar njoftime për rrënimin e 822 ndërtesave palestineze me arsyetimin se ato ishin pa leje.

Ushtarët izraelitë dhe kolonët hebrenj kanë kryer 4.073 shkelje të veçanta, duke përfshirë sabotimin e strukturave palestineze, shkuljen e pemëve, mbylljen e rrugëve dhe lëndimet fizike.

Ndërkaq, tetë palestinezë janë vrarë në 1.148 sulme të kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve.

Gjersa 13 vendbanime të paligjshme janë krijuar nga Izraeli në tokat që u përkisnin qytetarëve palestinezë, janë konfiskuar 4.400 hektarë tokë për arsye të ndryshme.

Forcat izraelite dhe kolonët hebrenj gjithashtu kanë prerë ose dëmtuar 8.340 pemë që nga fillimi i vitit.

AA