Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 18.205 viktima, thotë ministria e Shëndetësisë në Gaza, sipas të dhënave të 11 dhjetorit.
Duke folur në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra tha se 49.645 persona të tjerë janë plagosur gjithashtu në sulmet.
Sipas zëdhënësit, 22 spitale dhe 46 qendra të kujdesit parësor u detyruan jashtë shërbimit për shkak të bombardimeve izraelite.
"Të paktën 296 mjekë u vranë gjithashtu në sulmet izraelite që nga 7 tetori”, tha al-Qudra.
Ndryshe, në orët e hershme të 12 dhjetorit si pasojë e një sulmi ajror izraelit në qytetin e Rafahs mbetën të vrarë 12 palestinezë, në mesin e të cilëve edhe gjashtë fëmijë.
Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit në qytetet kufitare izraelite më 7 tetor.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit ishte 1.200.