Për shkak të numrit gjithnjë në rritje të vrasjeve si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, tashmë varrosjet bëhen në varre masive për shkak të pamundësisë për hapjen e varreve të ndara për të vrarët.
Kamera e AA-së ka filmuar punimet e palestinezëve që detyrohen të varrosin në varre masive rreth 50 trupa për shkak se nuk ka mbetur më vend në varrezën e qytetit Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Kreu i bashkisë Deir Al-Balah, Diab Al-Jarv, në një deklaratë për AA shpjegoi problemet që përjetojnë. Ai tha se rreth 50 persona kryesisht të zhvendosur humbën jetën si pasojë e shënjestrimit të një shtëpie që i përket familjes Abu Musabbih.
"Në varreza nuk ka mbetur vend për dëshmorët, trupat i varrosim në varre masive. Izraeli i drejtoi njerëzit në Deir Al-Balah duke theksuar se qyteti është i sigurt. Por, Izraeli ka kryer masakër duke lëshuar bomba dhe duke u shembur njerëzve shtëpitë mbi kokë", thekson Al-Jarv.
Pasi bëri të ditur se në Gaza është përjetuar fatkeqësi e vërtetë, Al-Jarv tha: "U bëj thirrje ekspertëve, personave përkatës dhe gazetarëve. Fjalët si fatkeqësi, masakër, krim, gjenocid nuk mund ta përshkruajnë më atë që po përjetojmë. Tashmë duhet të gjenden fjalë më të thella se këto. Ato që po përjetohen në Gaza dhe kryesisht në Deir Al-Balah tashmë janë të pamundur të shpjegohen me fjalë".