Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të dielën se operacioni i pritshëm tokësor në Rripin e Gazës "mund të zgjasë me muaj", njoftuan mediat lokale.
"Këto duhet të jenë manovrat e fundit tokësore në Gaza, sepse pas tyre nuk do të ketë më Hamas. Do të duhet një muaj, dy, tre, por në fund nuk do të ketë më Hamas," tha Gallant gjatë një takimi të Komandës së Operacioneve të Forcave Ajrore pranë kufirit me Rripin e Gazës.
Ai tha se “asgjë nuk mund ta ndalojë ushtrinë izraelite”.
"Ana operacionale e manovrës është një kombinim i dy gjërave: kapaciteti i Forcave Ajrore dhe operacionet tokësore", theksoi Gallant, shkruan gazeta "Yedioth Ahronoth".
Më herët të dielën, ushtria izraelite njoftoi se do të intensifikojë sulmet ajrore në Rripin e Gazës për të reduktuar kërcënimet me të cilat mund të përballen forcat e saj në Gaza, në përgatitje për fazën tjetër të luftës, duke iu referuar një operacioni tokësor.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet ajrore intensive në Gaza, duke shkatërruar lagje të tëra.
Të paktën 4.651 palestinezë, duke përfshirë 1.873 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza.
Një numër i paspecifikuar njerëzish kanë mbetur nën rrënoja.
Izraeli ka bombarduar Gazën që nga sulmi i befasishëm nga Hamasi më 7 tetor dhe e ka vendosur gjithë enklavën nën bllokadë, duke lënë 2,3 milionë banorët e saj me pak ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.