Izraeli njoftoi se procesi për shkëmbimin e pengjeve, i cili ka krijuar pritshmërinë që të zbatohej sot si pjesë e pauzës humanitare në konfliktet me Hamasin, nuk do të fillojë para të premtes.
Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi, bëri deklaratë lidhur me procesin e shkëmbimit të pengjeve që pritet të zbatohet ditën e enjte.
Duke vënë në dukje se negociatat për lirimin e pengjeve po "shënojnë përparim të vazhdueshëm", Hanegbi tha se "Lirimet do të fillojnë sipas origjinalit të marrëveshjes mes palëve dhe kjo nuk do të ndodhë para të premtes".
Ndërsa shtypi izraelit njoftimin në fjalë e ka vlerësuar si "vonesë". Në lajmin e televizionit shtetëror KAN të Izraelit, thuhet se "Familjet e pengjeve izraelite nuk janë informuar rreth vonesës së zbatimit të marrëveshjes përpara se njoftimi të bëhej në shtyp".
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, në një program në radion e ushtrisë izraelite ku mori pjesë, kishte deklaruar se në kuadër të marrëveshjes grupi i parë i pengjeve izraelite do të merrej në dorëzim më 23 nëntor.
Edhe televizioni shtetëror izraelit kishte njoftuar gjithashtu se grupi i parë i pengjeve izraelite në Rripin e Gazës do të lirohej që nga ora 10:00 ditën e enjte.
Kreu i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, kishte deklaruar se marrëveshja e arritur për pauzën humanitare për konfliktin me Izraelin do të fillojë më 23 nëntor në orën 10:00.
Marrëveshja e pengjeve mes Hamasit dhe Izraelit
Në shtypin izraelit dhe atë ndërkombëtar u njoftua se në fazën e parë të marrëveshjes, Hamasi do të lironte 50 deri në 80 gra dhe fëmijë izraelitë të mbajtur në Gaza. Ndërsa në këmbim u konfirmua se pritej që Izraeli të lirojë të paktën 150 të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Gjithashtu u bë e ditur se shkëmbimi i pengjeve do të bëhej duke shpallur pauzë humanitare 4 ditore në Gaza dhe se në kuadër të marrëveshjes do të sigurohej hyrja e rreth 300 kamionëve me ndihma humanitare në ditë në Gaza.
Sipas Izraelit, Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mbajnë të paktën 239 pengje izraelite. Në burgjet izraelite ndodhen rreth 7 mijë të burgosur palestinezë, ku më shumë se 2 mijë prej tyre janë të burgosur administrativë.
Forcat izraelite që nga 7 tetori e deri më tani kanë arrestuar rreth 3.000 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim.