Al Maliki: Netanyahu dëshiron të vazhdojë të vrasë palestinezët / Photo: AA

Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk dëshiron një armëpushim pasi dëshira e tij, është të vazhdojë të vrasë palestinezë, gra dhe fëmijë, pa dallim moshe.

Maliki foli për Anadolu në Gjenevë, ku mori pjesë në sesionin e 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Palestina dëshiron që të gjitha pengjet, përfshirë të burgosurit, të lirohen dhe të vendoset një armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur, para muajit të Ramazanit”, tha Maliki, duke shtuar se janë kundër vrasjes së civilëve.

Ai theksoi se, nëse arrihet armëpushim, do të jetë e mundur që ndihmat humanitare të hyjnë në veri dhe në jug të Gazës:

"Për këtë arsye edhe duam armëpushim. Shpresojmë që të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, para Ramazanit, në mënyrë që njerëzit të mund të shërohen dhe të marrin frymë lirisht në Gaza pa u bombarduar, vrarë apo të jetojnë nën zjarre."

Maliki tha se një armëpushim i përhershëm do të ofronte gjithashtu një mundësi për të menduar se si të rindërtohet Gaza.

Duke vënë në dukje se negociatat mes ShBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Izraelit kanë vazhduar muajin e fundit për arritjen e një marrëveshjeje, Maliki theksoi se kanë dëgjuar se ekziston mundësia që ajo të zbatohet sa më shpejt.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.

Maliki kujtoi se masat vlejnë për të gjithë, ashtu dhe për Izraelin.

“Nëse Izraeli nuk i respekton këto masa, do të paguajë çmimin”, tha ministri palestinez.

Ai tha se ata e dinë se kryeministri izraelit Netanyahu nuk dëshiron një marrëveshje për të ndaluar sulmet e tij.

"Netanyahu dëshiron të zgjasë luftën, ai nuk dëshiron armëpushim. Ai dëshiron të vazhdojë të vrasë palestinezë, gra dhe fëmijë. Netanyahu dëshiron të shkatërrojë spitale, shkolla dhe strehimore. Netanyahu i ka duart plot me gjakun e fëmijëve dhe grave të pafajshme palestineze. Qëllimi i Netanyahut në këtë luftë është ta bëjë Gazën të pabanueshme dhe për këtë arsye të shkatërrojë gjithçka në Gaza. Për ta bërë këtë, ai filloi zhvendosjen e dhunshme të palestinezëve nga veriu i Gazës në qendër dhe nga qendra në jug", tha Maliki. Ai beson se për këtë arsye nuk i lejon njerëzit të kthehen në veri.

Tel Avivi po e kthen veriun në një zonë tampon për sigurinë izraelite, Netanyahu "duhet të përmbahet", kërkoi Maliki duke shtuar:

"Nëse jo, ne mund ta shohim gjithë rajonin në flakë. Ne duhet të marrim masa paraprake dhe të jemi mjaftueshëm parandalues, për të mos lejuar që ai (Netanyahu) të na tërheqë në një luftë rajonale që do të shkatërrojë gjithçka."

AA