Stomatologu shqiptar nga Kosova, Getoar Hoxha, është shpallur studenti më i mirë për vitin 2024 nga Global Institute For Dental Education të ShBA-së në Implantologji dhe Rigjenerim kockor.
Ai në një intervistë eksluzive për TRT Balkan në gjuhën shqipe ka shpjeguar rrugëtimin e tij drejt një suksesi kaq madhështor.
“Jam përzgjedhur si studenti më i mirë në botë në kuadër të këtij programi të masterit, i cili realizohet në disa vende të botës si Kinë, Australi, Evropë dhe grupin e Amerikës. Unë pata fatin të marr pjesë në grupin e Amerikës dhe në mesin e 100 studentëve nga e gjithë bota u zgjodha si studenti më i mirë në botë. Si zgjidhet studenti më i mirë në botë, zgjidhet në bazë të disa kritereve, duhet t’u nënshtrohesh disa provimeve që realizohen në këtë platformë, pastaj duhet të dërgosh raste klinike si dhe varet nga shkathtësitë kirurgjike që i ke treguar gjatë këtij viti”, ka thënë Getoar Hoxha.
Me suksesin e tij, Getoar Hoxha dëshiroi t'i tregojë botës se Kosova ndonëse një vend i vogël mund të garojë në arenën ndërkombëtare me kuadro të kualifikuar dhe profesionale.
“Edhe pse është suksesi më i madh në karrierën profesionale që kam pasur deri tash, ky sukses nuk e besoj se është sukses personal vetëm imi, por është sukses për gjithë vendin. Pse jo t’i tregojmë arenës ndërkombëtare që Kosova ka njerëz të zotë dhe shqiptarët mund t’ia dalin”, tha Hoxha.
Përveç klinikës në Prishtinë, ai operon edhe me një klinikë tjetër në Pejë, ku së pari kishte nisur rrugëtimin e tij si stomatolog shtatë vjet më parë.
Në vazhdim stomatologu 30-vjeçar tregoi edhe mbi planet e tij për të ardhmen.
“Do të startoj me mentorim që nga fundi i këtij vitit në vendet si në Itali, pastaj në fillim të vitit në Holandë, Austri e kështu me radhë, ndërkaq në fund të programit të masterit në shtator besoj jam i ftuar special në Kaliforni për të ndarë një eksperiencë time me një rast klinik atje”, shtoi Hoxha.
Ndërsa kishte edhe një mesazh për të rinjtë.
“Për të gjithë ju të rinjtë që dëshironi të studioni stomatologji ose që e dëshironi këtë profesion, punoni shumë sepse me të vërtetë ëndrrat bëhen realitet nëse punoni për to”, përfundoi Hoxha.