Mulliri shekullor me ujë në Tearcë të Maqedonisë së Veriut mbetet një trashëgimi e rrallë në rajonin e Pollogut.
Edhe pse dikur në stilin e vjetër, tani mulliri i vetëm në Tearcë gëzon një pamje më të moderuar.
I ndërtuar para afro 300 vitesh dikur shërbente jo vetëm për banorët e zonave përreth, por edhe i atyre nga Kosova thotë pronari i mullirit, Nasir Huseini.
“Janë furnizuar i gjithë fshati, por jo vetëm fshatrat, por edhe rreth e përqark. Prej Kosove kanë ardhur kanë qëndruar, ka pasur vende të posaçme për të qëndruar, sepse nuk është bluar sepse ky natyrisht shkon me ujë, e jo me rrymë”, tha pronari i mullirit Nasir Huseini.
Si trashëgimtar i këtij mulliri, Huseini thotë se ai është brezi i katërt i familjes që punon, ndërsa pretendon që mulliri ka mbi 300 vjet.
“Unë jam i pesti brez këtu. E tani unë nuk e di saktë sa është, por i pesti brez duhet të jetë mbi 300 vjet ky mulli”, shton ai.
Para kamerës së TRT Ballkan Huseini shpjegoi në detaje se si bëhet bluarja e miellit me gurët që lëvizin përmes ujit,
“Ky gur ecën me anë të ujit. Ne i themi çargë, pas çargut është rrotulluesi që e rrotullon gurin dhe pas këtij guri është një kryq që e mban këtë gur dhe me anë të asaj kryqi rri mbi gurrin në pjesën e sipërme dhe nuk e lë të dalë. Pra, mbetet në një vend. Kjo është ngritëse. Do që të rrotullohet më shpejt, e ngre lart dhe shkon edhe më shpejt, e ul, e ndalon, sepse puqet gur me gur dhe nuk ka fuqi”, rrëfeu për TRT Ballkan.
Huseini thotë se misri që bluhet përmes ndihmës së ujit është më kualitativ se ai që bluhet tani më metodat e avancuara.
“Rryma e djeg miellin, ndërsa kjo me anë të ujit nuk e djeg. Pse? Sepse rryma ka fuqi të madhe, ndërsa mielli i misrit duhet të bëhet pak më ngadalë që është edhe më i lezetshëm”, përfundoi rrëfimin e tij Nasir Huseini, pronari i mullirit të vetëm tradicional në Tearcë të Maqedonisë së Veriut.
Për më shumë ndiqeni storjen e përgatitur.