Osmani: Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë / Foto: Këshilli Evropian - Consilium.europa.eu

Para fillimit të Samitit Bashkimi Evropian-Ballkan Perëndimor, në Bruksel, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi Serbinë se po planifikon sulme të reja në Kosovë, derisa për këtë ka thënë se do t’i njoftojë edhe liderët evropianë.

Duke përmendur faktin se ky samit po zhvillohet në një kohë të vështirë për Europën dhe botën për shkak të luftërave, Osmani tha se parternët e Ballkanit perendimor duhet t’ia dëshmojnë Ballkanit perendimor se sa e rëndësishme është paqja.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informoj të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia të mos e destabilizojë më rajonin tonë”, tha Osmani.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar sot me homologët e tyre të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku fokusi kryesor do të jetë në perspektivën e anëtarësimit në BE.

TRT Balkan