Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev mbërritën në Rinas së bashku me dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg. Delegacioni olimpik është pritur nga qytetarë të shumtë që brohoritën sportistët.
Delegacioni shoqërohej nga Presidenti i KOKSh-it Fidel Ylli, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, Drejtori i Klubit Shumësportësh në bashkinë e Tiranës Gjergji Muzaka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes Sahit Prizreni, si dhe Presidenti i Federatës së Atletikës Shqiptare Taulant Stërmasi.
Presidenti i Federatës së Mundjes, ish-mundësi Sahit Prizreni u shpreh se “ky është një gëzim i madh, fakti që është historike, këtë moment e bën fantastike.
“Jam shumë krenar, kjo është një ëndërr që kam dashur ta realizoj. Jam shumë krenar për djemtë. Përulje dhe mirënjohje për këdo që nderon flamurin kombëtar”, tha ai. Ndërkohë që dy sportistët kuqezi, Valiev dhe Dudaev, thanë se vitet e ardhshme synojnë t’i sjellin Shqipërisë medalje të arta.
“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev, që shtoi entuziazmin te tifozët.
Ndërsa Islam Dudaev synon medaljen e artë në Lojërat e ardhshme Olimpike.
“Jam shumë i lumtur, do Zoti në herën tjetër medalje të artë për Shqipërinë”, tha Dudaev. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se ndihet krenar për këtë moment historik për Shqipërinë.
Ai theksoi se vetëm duke bashkëpunuar dhe duke punuar arrihen rezultate të tilla historike.
“Sportistët tanë të Sport Klub Tiranës sollën dy medaljet e para për klubin, por mbi të gjitha si shqiptar, jam shumë i lumtur që janë dy medaljet e para për Shqipërinë. Falënderoj dy djemtë, dy atletët tanë. Faleminderit nga zemra që na bëtë krenarë dy herë, me flamurin e Shqipërisë dhe me flamurin e Tiranës, Sport Klub Tiranës, që është thelbi i ekipit tonë olimpik. Mirënjohje për Fidelin. Kur ne shqiptarët bashkëpunojmë, ne bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, të mrekullueshme.”
Më 10 gusht, Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024, duke fituar medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Medalja e dytë për Shqipërinë u fitua nga mundësi Islam Dudaev, i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.