Fillon Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. / Foto: AA

Me pjesëmarrjen e dhjetëra liderëve politikë nga e gjithë bota, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat globale prioritare, në Gjermani ka filluar Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC).

Konferenca vjetore treditore ka nisur në Mynih dhe do të presë më shumë se 50 krerë shtetesh dhe qeverish si dhe rreth 150 ministra nga e gjithë bota.

Konferenca filloi të premten në mëngjes dhe do të ketë shumë folës pas fjalës përshëndetëse të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ata do të përqendrohen në sfidat globale të sigurisë, përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, nënkryetari amerikan JD Vance dhe i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, do të jenë ndër zyrtarët më të lartë që do të marrin pjesë në konferencë.

Përveç diskutimeve intensive të pritura për luftën në Ukrainë dhe planin e paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, konferenca do të trajtojë edhe krizën në Lindjen e Mesme, procesin politik në Siri, konfliktet në Afrikë dhe tensionet në Azinë Juglindore.

Vance, Zelenski, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu do të mbajnë fjalime në konferencë.

Ndër folësit janë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, ministri i jashtëm britanik, David Lammy, ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, dhe ministrja e jashtme kanadeze, Melanie Joly.

Ditën e parë të konferencës, fjalimet e Von der Leyen dhe Vance

Në ditën e parë të konferencës, Von der Leyen do të flasë mbi temën "BE-ja në botë", ndërsa Vance do të marrë pjesë në një sesion tjetër të titulluar "ShBA-ja në botë".

Kryeministrja e Letonisë, Evika Silina, ministrja e jashtme finlandeze, Elina Valtonen, dhe ministrja e jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, do të flasin më vonë të premten në një panel mbi përballjen me luftën hibride në Detin Baltik.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Mariano Grossi, pritet gjithashtu ta trajtojë çështjen e multipolaritetit bërthamor.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, do të marrë pjesë në një panel të titulluar "Kina në botë".

Të shtunën, në ditën e dytë të konferencës, priten debate mbi gjendjen e rendit ndërkombëtar, si dhe mbi konfliktet dhe krizat rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik gjithashtu do të jetë në fokus të ditës së dytë të konferencës.

Ngjarja do të përmbyllet me diskutime mbi rolin e Evropës në botë në ditën e fundit të konferencës.

TRT Balkan / agjencitë