Kosova vazhdon të përballet me forma të ndryshme të ekstremizmit, është thënë në një konferencë rajonale e cila u organizua në kuadër të projektit "Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundërmasat".
Në konferencën e organizuar nga "Sbunker", ku u shpalos edhe një raport mbi ekstremizmat në Kosovë, u vlerësua se Kosova përballet me forma të ndryshme të ekstremizmit, të cilat shpesh mbivendosen dhe ndajnë elemente me ekstremizmin e ekstremit të djathtë.
Menaxheri i projektit në "Sbunker", Alban Bokshi, ka thënë se raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin që demokracia, të drejtat e njeriut, realiteti dhe diversiteti i mendimeve, liritë bazike, janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferës së viteve të 90-ta që u paraprinë luftërave në ish-Jugosllavi.
"Duket se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një tërheqje të madhe për këto ideologji. Disa raporte ndërkombëtare të viteve të fundit kanë ngritur shqetësimin që demokracia, të drejtat e njeriut, realiteti dhe diversiteti i mendimeve, liritë bazike janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferës së viteve të 90-ta që u paraprinë luftërave në ish-Jugosllavi. Ka ngritje të retorikës nacionaliste dhe populiste, si dhe ngecje të proceseve si drejtësia tranzicionale", tha Bokshi.
Autorja e raportit, Adelina Hasani, tha se raporti identifikon disa forma të ekstremizmit në Kosovë, përfshirë etno-nacionalizmin, narrativat kundër gjinive, ekstremizmin fetar, retorikën antiislamike dhe ekstremizmin politik.
Raporti thekson se nacionalizmi ekstrem në Kosovë vazhdon të ushqehet nga tensionet e thella etnike, veçanërisht midis shqiptarëve dhe serbëve dhe se çështjet e pazgjidhura dhe trashëgimia e konfliktit të viteve 1998-1999 vazhdojnë të dominojnë diskursin politik në të dyja vendet, duke penguar përpjekjet për pajtim dhe stabilitet.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në raport është veprimtaria e grupeve etno-nacionaliste të ekstremit të djathtë në veri të Kosovës.
"Nacionalizmi në Kosovë shënohet kryesisht nga armiqësia e thellë ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht shqiptarëve dhe serbëve. Çështjet e pazgjidhura dhe trashëgimitë e konfliktit të dhunshëm të viteve 1998-1999 vazhdojnë të dominojnë diskursin politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, duke penguar mundësinë e pajtimit dhe ecjes përpara. Grupet etno-nacionaliste, të identifikuara nga ekspertët e intervistuar të sigurisë si organizata të ekstremit të djathtë në veri të Kosovës, kanë kryer sulme terroriste në Kosovë. Këto grupe me lidhje të drejtpërdrejta me institucionet serbe jo vetëm që minojnë sovranitetin e Kosovës, por gjithashtu rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit lokal serb në zonë", ka thënë Hasani.
Një tjetër faktor me ndikim në rritjen e ekstremizmit është dezinformimi nga Rusia, e cila, sipas raportit, ka nxitur ndjenjat etno-nacionaliste midis serbëve dhe shqiptarëve.
Raporti i publikuar vë në dukje rëndësinë e ndërhyrjeve strategjike për të luftuar ekstremizmin, përfshirë politikën e sigurisë, edukimin dhe fushatat kundër dezinformimit. Për t'i adresuar këto sfida, kërkohet një qasje e koordinuar nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon.