Osmani: Sulmet hibride, sfidë reale për stabilitetin tonë kombëtar.            Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmet hibride në Kosovë, të kombinuara edhe me operacione ushtarake, ekonomike dhe dezinformative, janë sfidë reale për stabilitetin kombëtar.

Kështu u shpreh ajo në konferencën e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ku u fol për qëndrueshmërinë kombëtare, ku morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe përfaqësues të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Presidentja Osmani tha se investimi i vazhdueshëm në armatim dhe personelin ushtarak dhe mirëqenien e tyre, është jetik.

"Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara ushtarake, kibernetike, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar. Në këtë drejtim siguria kibernetike është thelbësore duke qenë pjesë e këtyre kërcënimeve hibride", theksoi Osmani.

Sipas saj, Kosova duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se në aspektin e sigurisë janë gati për atë "që na e merr mendja", por, duhet të bëhen gati edhe për atë që, "tash për tash nuk na merr mendja". Kurti tha se Kosova vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t'i bashkërendojë dhe t'i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO.

"Kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake. Kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për ta mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje", theksoi Kurti.

Ai shtoi se në kohë të sfidave përgjigjja duhet të jetë kombinimi i vendosmërisë dhe unitetit.

TRT Balkan / agjencitë