Kroaci: Nis bojkoti shtatëditor i blerjes së ujit, detergjentit dhe pijeve / Photo: AA

Në Kroaci ka nisur sot bojkoti njëjavor i blerjeve në tri rrjete të shitjes me pakicë, ndërsa qytetarët janë të ftuar të mos blejnë pije të gazuara, ujë në shishe dhe detergjentë.

Bojkoti javor po kryhet me ftesë të Platformës “Përshëndetje, inspektor”, e cila ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh bojkotimi edhe në periudhën në vijim.

Josip Kelemen, këshilltar i platformës konsumatore “Përshëndetje, inspektor”, tha se konsumatorët janë të interesuar për një bojkot të ri dhe se kjo tregon forcën e njerëzve që duan të ndryshojnë tregun dhe të përballen me rritje të reja të çmimeve.

"Ne duam të dërgojmë një mesazh edhe më të fortë që më në fund të fillojmë rregullimin e tregut kroat dhe të fillojmë mekanizmat e monitorimit," thekson Kelemen.

Ai ka shtuar se në këtë mënyrë ka dashur ta shprehë pakënaqësinë e tij për rritjen e re të çmimeve.

Të enjten, një nga zinxhirët e shitjes me pakicë njoftoi se në bashkëpunim me furnitorët kroatë kanë investuar një milion euro shtesë në uljen dhe ngrirjen e çmimeve të 250 produkteve vendase që nuk përfshihen në vendimin e shpallur të qeverisë kroate për kufizimet e çmimeve. Siç theksojnë në komunikatën për media, nga e shtuna më 1 shkurt 2025, përveç listës së produkteve, çmimet e të cilave janë të kufizuara nga Qeveria e Kroacisë, çmimet e 250 produkteve shtesë do të ulen dhe nuk do të ndryshojnë deri në 1 qershor 2025, përveç që ato mund të reduktohen më tej. Zbritja mesatare është rreth 10 për qind, e për disa produkte edhe më shumë se 30 për qind.

Të premten që lam pas, në Kroaci u mbajt një bojkot njëditor i blerjeve, i cili shkaktoi një rënie prej 53 për qind të faturave të lëshuara krahasuar me të njëjtën periudhë shtatë ditë më parë.

Fushatat shumëditore të bojkotit të blerjeve në disa zinxhirë të caktuar të shitjeve me pakicë u bënë edhe në Slloveni, ndërsa një bojkot njëditor të premten, më 31 janar do të mbahet në Slloveni, Kroaci, si dhe në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

TRT Balkan / agjencitë