Ndonëse me dhjetëra universitete shqiptare janë në shërbim të studentëve nëpër vendet e rajonit, qoftë ato shtetërore a private, asnjëri nga këto edhe këtë vit nuk arriti të sigurojë një vend në mesin e TOP 1.000 universiteteve më të mira në botë sipas Listës së Shangait për vitin 2023.
Kritikët e arsimit vite me radhë alarmojnë për gjendjen e rënduar të nivelit arsimor.
Vërejtjet më të theksuara për agoninë e arsimit në universitete janë mungesa e risive, mungesa e bazave të reja të unifikuara të të dhënave, nuk ka reforma në arsimin e lartë që zbatohen në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe nevojave sociale, korrupsioni i skajshëm në çerdhen e diturisë etj.
Rajoni përfaqësohet vetëm nga Serbia
Sa u përket vendeve të rajonit të cilat ndodhen jashtë BE-së, vetëm Serbia është e përfaqësuar në TOP 1.000 sipas Listës së Shangait për vitin 2023, madje me dy universitete.
Universiteti i Beogradit për dallim nga viti i kaluar ka përmirësim në renditje, i cili nga pozicioni midis 401 dhe 500, tani u gjend në një pozicion midis vendit 301 dhe 400.
Ndërsa Universiteti i Novi Sadit ruajti pozicionin e tij midis vendit 901 dhe 1.000.
Universitetet më të mira në botë
Tashmë 21 vjet me radhë, Universiteti i Harvardit kryeson listën ndërkombëtare.
Në vendin e dytë është Universiteti Stanford dhe në vendin e tretë është Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) – të gjithë nga ShBA-ja.
Ndryshe, universitetet amerikane mbajnë 14 nga 20 vendet e para në listën e Shangait.
Historiku dhe Metodologjia e vlerësimit sipas Listës së Shangait
ShanghaiRanking Consultancy është një organizatë plotësisht e pavarur për inteligjencën e arsimit të lartë dhe nuk është në varësi ligjore të ndonjë universiteti a agjencie qeveritare.
Më shumë se 2.500 universitete aktualisht renditen nga lista e Shangait çdo vit dhe publikohen 1.000 më të mirët.
Rangimi i universiteteve në listën e Shangait ka filluar të publikohet që nga viti 2009, dhe përfshin tërë botën.
Universitetet renditen sipas disa treguesve të performancës akademike ose kërkimore, duke përfshirë të diplomuarit (10 %) dhe stafin fitues të çmimeve Nobel dhe Medaljet e Fushave (20 %), studiues shumë të cituar (20 %), punime të botuara në Nature and Science (20 %), punime të indeksuara në indekset kryesore të citimeve (20 %), dhe performancën akademike për frymë të një institucioni (10 %).