Me të ardhur në krye të njërit ndër rrjetet sociale më të njohura në botë, Twitter-it, biznesmeni Elon Musk ka paralajmëruar shumë ndryshime.
Ai sapo ka bërë të ditur se Twitter-i ka filluar heqjen e llogarive të rreme.
"Twitter-i po pastron shumë llogari të rreme (spam) tani, kështu që mund të vëreni rënien e numrit të ndjekësve tuaj", shkroi miliarderi i teknologjisë, Musk.
Para blerjes së kompanisë së mediave sociale prej 44 miliardë dollarësh, Musk kërcënoi se do të largohej nga marrëveshja nëse Twitter-i nuk ofronte prova se llogaritë e rreme ishin më pak se 5 për qind e përdoruesve.
Pastrimi pritet të eliminojë numrin e ndjekësve të vetë Musk-ut.
Duke cituar një analizë nga akademia skoceze e aftësive digjitale CodeClan, Forbes raportoi se Musk mund të humbasë 13.5 milionë ndjekës nëse hiqen llogaritë e rreme nga Twitter-i.
Po ashtu, duke ndarë një video të një pishine reflektuese në qendër të Apple Park në Cupertino, California, Musk falënderoi shefin ekzekutiv Tim Cook që e pranoi atë në selinë "e bukur" të kompanisë Apple.
"Ndër të tjera, ne zgjidhëm keqkuptimin rreth heqjes së mundshme të Twitter-it nga App Store", shkroi Musk në Twitter.
"Tim ishte i qartë se Apple nuk e kishte menduar kurrë ta bënte këtë", shkroi ai.
Pas blerjes së kompanisë Twitter, Elon Musk shkarkoi udhëheqësinë e lartë, mes të cilëve edhe shefin ekzekutiv, atë të financave dhe kryetarin e bordit.
Blerja e Twitter-it nga Musk ka ndezur një stuhi debati në lidhje me lirinë e shprehjes kundrejt dëmit në internet, pasi vetë Musk më parë kritikoi politikat e moderuara të Twitter-it dhe akuzoi platformën për njëanshmëri ndaj pikëpamjeve të krahut të majtë.
Ai gjithashtu besohet se po mbron idenë për t'u kërkuar përdoruesve të paguajnë për shenjën verifikuese "blue check", që përdoret për të verifikuar llogaritë e personave të famshëm, politikanëve, udhëheqësve të biznesit dhe gazetarëve.
Çipat e trurit
Miliarderi amerikan Elon Musk tha se pret që testet klinike të një çipi të trurit pa tel të zhvilluar nga kompania e tij Neuralink të fillojnë te njerëzit brenda gjashtë muajve, pasi afatet e mëparshme ishin humbur.
Neuralink po zhvillon çipa truri që janë krijuar për t'u mundësuar njerëzve me paralizë të rifitojnë funksionet motorike dhe të trajtojnë sëmundjet e trurit si Parkinson, Alzheimer ose demencën.
Kompania ka kryer teste te kafshët në vitet e fundit, ndërsa pret miratimin për testimin tek njerëzit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA).