Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nëpërmjet një komunikate zyrtare ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në FIFA për aktin agresiv të Kombëtares së Serbisë, para ndeshjes së mbrëmshme kundër Brazilit.
Në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”, Serbia mbrëmë u ballafaqua me Brazilin, nga i cili edhe pësoi humbje me rezultatin 2:0.
Para ndeshjes me Brazilin, në zhveshtore të Serbisë është vendosur një flamur në të cilin shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK-ja si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet në kumtesën e FFK-së.
Ata thonë se futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet.
“Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati Botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejtje mes popujve”, thonë më tej nga shtëpia e futbollit të Kosovës.
FFK-ja nuk pranon që ky akt të kalojë në heshtje dhe po kërkon fuqishëm nga FIFA që të zbatojë në përpikëri rregullat dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli.
Mes tjerash në reagimin e FFK-së, thuhet se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit.