FIFA dënon sulmin “krejtësisht të papranueshëm” ndaj gjyqtarit turk / Photo: AA

Organi drejtues i futbollit botëror FIFA dënoi të martën sulmin ndaj një gjyqtari turk të futbollit nga kryetari i klubit të ligës më të lartë MKE Ankaragucu.

“Nuk ka absolutisht asnjë vend për dhunë në futboll, në apo jashtë fushës”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino në Instagram.

“Ngjarjet pas ndeshjes së Super Ligës Turke ndërmjet MKE Ankaragucu dhe Caykur Rizespor janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në sportin apo shoqërinë tonë”, tha Infantino.

Ai deklaroi se gjyqtarët, lojtarët, tifozët dhe stafi duhet të jenë "të sigurt për të shijuar lojën" dhe u bëri thirrje autoriteteve përkatëse të zbatojnë rregulloret dhe tha se duhet "të respektohen në të gjitha nivelet".

Caykur Rizespor si mysafire ka arritur të barazojë rezultatin 1:1 në minutat shtesë të ndeshjes nda nikoqirit Ankaragucu e cila nga minuta e 50-të luante me një lojtar më pak si pasojë e kartonit të kuq.

Pas fishkëllimës së fundit, kryetari i Ankaragucu, Faruk Koca, pushtoi fushën për të goditur me grusht në fytyrë Halil Umut Meler, një gjyqtar i licencuar nga FIFA. Pasi arbitri ra në tokë, disa persona e goditën edhe atë me shkelma.

Pas sulmit, Meler u dërgua në një spital të Ankarasë.

Federata Turke e Futbollit pezulloi të gjitha ndeshjet e ligës deri në një njoftim të dytë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dënoi më parë sulmin ndaj Melerit.

Të martën, Koca u dërgua në paraburgim, tha ministri i drejtësisë Yılmaz Tunc.

Erdoğan e thirri Melerin për të shprehur dhimbjen për sulmin dhe tha se ai "udhëzoi ministrat përkatës të bënin atë që është e nevojshme menjëherë".

Meler, 37 vjeç, është një nga gjyqtarët e elitës së UEFA-s dhe FIFA-s që drejton disa ndeshje në garat e klubeve dhe kombëtareve të UEFA-s, duke përfshirë Ligën e Kampionëve të nivelit më të lartë, si dhe kualifikimet evropiane për Kupën e Botës FIFA 2022.

TRT Balkan / agjencitë