Presidenti i qeverisë botërore të futbollit, FIFA, kërkoi të martën armëpushim në luftën e Ukrainës gjatë Kupës së Botës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që ta shfrytëzojnë Botërorin si “shtytje pozitive” për të punuar drejt zgjidhjes.
“Lutja ime për të gjithë ju, të mendoni për një armëpushim të përkohshëm për një muaj për kohëzgjatjen e Kupës së Botës, ose të paktën zbatimin e disa korridoreve humanitare ose çdo gjë që mund të çojë në vazhdimin e dialogut si hap i parë drejt paqes”, tha Infantino.
Duke folur në një drekë me liderët e G20 në ishullin e Indonezisë, Bali, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino tha se Kupa e Botës që zgjat një muaj, e që fillon në Katar këtë fundjavë, ofron një platformë unike për paqe.
“Ju jeni liderët e botës, ju keni aftësinë që të ndikoni kursin e historisë. Futbolli dhe Kupa e Botës ju ofrojnë një platformë unike të bashkimit dhe paqes në mbarë botën”, tha Infantino.
Kupa e Botës fillon nga 20 nëntori deri më 20 dhjetor në Katar, vendi i parë nga Lindja e Mesme që do të jetë nikoqir i këtij eventi.
Edicioni i fundit i Kupës së Botës u mbajt në Rusi në vitin 2018, ndërsa Ukraina aplikon për edicionin e vitit 2030. Mbi 5.5 miliardë njerëz pritet ta shikojnë botërorin këtë vit.