Maskota: Marka dalluese e kampionateve botërore të futbollit     Foto: TRT Balkan

Kupa e Botës, përveç aftësive të pabesueshme futbollistike të mjeshtërve të mëdhenj, mbahet mend edhe për maskotat që janë markë e garave sportive ndërkombëtare.

Nga luani Willie e deri te La’eeb, për më shumë se gjysmë shekulli, maskotat kanë qenë pjesë përbërëse e kampionateve botërore të futbollit dhe zbukurojnë magjinë e futbollit që mbretëron gjatë kampionateve.

Më poshtë vijon një përmbledhje e të gjitha maskotave të Kupës së Botës nga viti 1966 deri në 2022.

La’eeb, maskota për Kupën e Botës Katar 2022

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Katari kanë prezantuar La'eeb-in si maskota zyrtare për Kupën e Botës 2022 në Katar. La’eeb është një fjalë arabe që do të thotë lojtar super i aftë.

La’eeb, maskota për Kupën e Botës Katar 2022     Foto: Fifa.com

“Jemi të lumtur që mund ta zbulojmë La’eeb-in si maskota zyrtare për Kupën e parë të Botës FIFA në Lindjen e Mesme dhe botën arabe. Jemi të sigurt që tifozët do ta pëlqejnë këtë personazh argëtues dhe lozonjar. La’eeb do të luajë një rol jetik, ndërsa ne përfshijmë tifozë të rinj dhe të vjetër në Kupën e Botës FIFA të Katarit”, ka thënë Khalid Ali Al-Mawlawi, një nga krerët e Kupës së Botës.

“La’eeb inkurajon të gjithë të besojnë në veten e tyre dhe kjo do t’u sjellë të gjithëve gëzimin e futbollit”, ka shtuar ai.

Luani Willie, maskota e parë e Kupës së Botës

Praktika e përfaqësimit të maskotave në kampionatet botërore filloi në vitin 1966, në Angli, kur u prezantua luani Willie.

Ai ishte një markë e Kupës së Botës në Angli dhe u tregua si fatsjellës për mikpritësin, sepse skuadra e Anglisë arriti për herë të parë dhe të vetme deri tani ta fitojë trofeun më prestigjioz të futbollit.

Djemtë si maskota

Nga viti 1970 deri në 1978, maskotat e Kupës së Botës ishin djem. Në Meksikë, maskotë ishte djali Juanito, i cili dallohej nga sombrero e madhe në kokë. Katër vjet më vonë, në Gjermani maskotat ishin djemtë Tip dhe Tap.

Figura e fundit njerëzore e maskotave të Kupës së Botës ishte Gauchito në Argjentinë në vitin 1978. I veshur me fanellën e kombëtares së Argjentinës, Gauchito mbante një shall rreth qafës dhe një kamxhik në dorën e djathtë si kaubojët e vërtetë të Amerikës së Jugut.

Naranjito për Spanjën, Pique për Meksikën

Në Spanjë në vitin 1982 maskotë ishte Naranjito (Portokall), një frut tipik spanjoll. Katër vjet më vonë në Meksikë, maskotë ishte speci djegës Pique që mbante mustaqe dhe sombrero.

Qasje e re për zgjedhjen e maskotës së Botërorit

Në Itali në vitin 1990 u shfaq një qasje krejtësisht e re për sa u përket maskotave. Ciao ishte i përbërë nga figura gjeometrike në formën e një futbollisti dhe në ngjyrat e flamurit italian. Në vend të kokës kishte një top.

E mbani mend qenin Striker?

Kupa e Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara u shënua nga qeni Striker, kafsha shtëpiake më e zakonshme në Amerikë, e cila mbante të veshur një fanellë me ngjyrat e flamurit të Shteteve të Bashkuara me mbishkrimin “USA 94”.

Gjeli Footix, maskota krenare e Kupës së Botës në Francë

Në vitin 1998, Franca vendosi për maskotë gjel, një nga simbolet e Francës. Footix ishte i kaltër, njësoj si fanellat franceze. Emri rrjedh nga fjala “futboll” dhe prapashtesa “x” nga figura popullore Asterix.


Maskota futuriste në Japoni dhe Korenë e Jugut

Maskotat futuriste Ato (trajneri), Nik (lojtar blu) dhe Kaz (lojtar vjollcë), zbritën nga hapësira në planetin tonë për të qenë maskotat zyrtare në Kupën e Botës 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut. Personazhet u krijuan me animacion kompjuterik dhe askush nuk e kishte të qartë se çfarë simbolizonin ato personazhe.

Gjermanët me zgjedhje atipike të maskotës

Gjermanët në vitin 2006 vendosën për një luan atipik të quajtur Goleo dhe topin që fliste, Pille. Maskota e luanit shkaktoi shumë polemika për shkak të mungesës së pantallonave, si dhe për faktin se kjo kafshë lidhet më shumë me Anglinë dhe Holandën sesa me Gjermaninë.

Afrika e Jugut zgjodhi leopardin për maskotë

Leopardi Zakumi ishte maskota zyrtare e Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut. “Za” është një shifër për Afrikën e Jugut, dhe “kumi” do të thotë dhjetë në shumë gjuhë afrikane, duke aluduar kështu në Afrikën e Jugut 2010. Data e lindjes së leopardit përkonte me një ditë të njohur dhe të festuar si Dita e Rinisë e Afrikës së Jugut.

Botëror ekologjik në Brazil

Në Brazil në vitin 2014 fokusi ishte te ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit. Sipas qëllimit, brazilianët vendosën që thneglangrënësi Fuleco të ishte maskota e këtij kampionati. Është një gjitar që është specie endemike braziliane e rrezikuar.

Ujku Zabivaka, zgjedhja e rusëve

Në Rusi në vitin 2018, ne pamë Zabivakën si maskotë – një ujk me syze sportive dhe fanellë në ngjyrat e flamurit rus.

TRT Balkan