Trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova edhe zyrtarisht janë bërë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.
Sportistet nga Kosova sot janë graduar me titulli “Kolonele” në ushtrinë e Shqipërisë.
Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi se janë 7 sportistë elitarë që gradohen kolonel i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq: Luiza Gega e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih, Gjermani gusht 2022, Briken Calja i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan dhjetor 2021, Erkand Qerimaj i cili mori vendin e parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë maj 2022, Alban Beqiri i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, nëntor 2022.
Ministri Peleshi tha se kjo ishte nismë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama vitin e kaluar, që u shndërrua në ligj.
“Është dhe një plejadë e sportistëve të tjerë që në bazë të këtij ligji fitojnë gradat major, nënkolonel. Ka një të përbashkët ndërmjet sportistëve elitarë, misionit të tyre dhe misionit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Kjo pikë e përbashkët është flamuri i Shqipërisë dhe dashuria për vendin”, tha Peleshi.