Për të tretën ditë me radhë në Serbi është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit të popullsisë, i cili zyrtarisht filloi më 1 dhe pritet të përfundojë me 31 tetor. Karakteristikë e këtij regjistrimi se pas shumë kohësh merr pjesë edhe komuniteti shqiptar. Në vitin 2011 ky proces ishte bojkotuar nga shqiptarët etnikë në Serbi. Vetëm një numër i vogël i kishte pranuar të regjistrohet, gjegjësisht mbi 5.800 qytetarë. Ndërkohë, të dhënat e regjistrimit të vitit 2002 në Serbi flasin se numri i shqiptarëve është mbi 60 mijë qytetarë.
Pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Serbi janë të përqendruar në rajonin e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Por, shqiptarë rezidentë në Serbi ka edhe në Beograd, Vojvodinë e Suboticë.
Regjistrimi i vitit 2011
Formularët e regjistrimit të popullsisë në gjuhën serbe, gjendja e rënda ekonomike dhe shumë arsye të tjera ishin shkak që 90 për qind e shqiptarëve në Serbi të bojkotojnë procesin e regjistrimit në vitin 2011. Por, kësaj radhe formularët e regjistrimit janë shtypur edhe në gjuhën shqipe.
Të drejtë regjistrimi po ashtu kanë edhe qytetarët shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe Kosovë (nëpërmjet familjarëve të tyre në Serbi). Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, një ditë para fillimit të regjistrimit të popullsisë, njoftoi se Komunën e Preshevës janë 73 regjistrues të udhëhequr nga 12 instruktorë, në atë të Bujanocit 83 regjistrues të udhëhequr nga 13 instruktorë, si dhe në Komunën e Medvegjës janë 21 regjistrues të udhëhequr nga 4 instruktorë. Po ashtu, ai nëpërmjet rrjetit social Facebook njoftoi se regjistrim onlajn nuk do të ketë.
“Gjatë këtyre ditëve kemi parë edhe lajme të pavërteta në rrjetet sociale, duke thirrur në regjistrim onlajn. Për informatë tuajën, regjistrimi i popullsisë, i shtëpive dhe i objekteve të banimit bëhet vetëm në terren nga regjistruesit e angazhuar prej Entit të Statistikave në Serbi”, shkruan Mustafi.
Thirrje për regjistrim
Para dhe pas fillimit të procesit të regjistrimit të shumta ishin thirrjet e personaliteteve politike që shqiptarët në Serbi t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në apelin e tij drejtuar shqiptarëve në Serbi, tha se ky proces nuk është vetëm çështje statistike.
“Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe në Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, tha Kurti.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, këtë proces e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm.
“Ju ftoj t’i përgjigjen dhe të regjistrohen që të gjithë. Në Luginë kemi peshë aq sa jemi. E jemi shumicë. Prandaj, le ta dëshmojmë e le të jemi në krye të kësaj përgjegjësie kombëtare. Regjistrohu ti. Regjistro familjen tënde. Të regjistrohemi të gjithë", apeloi Kamberi.
Rezultatet preliminare në nëntor
Rezultatet e para preliminare për numrin e popullsisë, të amvisërive dhe të banesave të regjistruara do të dihen deri në fund të nëntorit, ndërsa rezultatet përfundimtare të regjistrimit me të gjitha të dhënat e mbledhura do të publikohen në pranverë, tha për agjencinë e lajmeve Tanjug udhëheqësja e Departamentit të Regjistrimit në Entit Republikan të Serbisë, Ljiljana Gjorgjeviq.
Ajo theksoi se plotësimi i pyetësorit merr një kohë të shkurtër, sepse i gjithë procesi është i digjitalizuar.
“Digjitalizimi i regjistrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse janë futur rregullat logjike të kontrollit, të cilat e përshpejtojnë gjithë procesin e plotësimit të pyetësorit”, tha Gjorgjeviq.
Pjesë e këtij procesi janë 15 mijë regjistrues në gjithë Serbinë.
Për dy ditë janë regjistruar mbi 430 mijë banorë
Gjatë fundjavës janë regjistruar më shumë se 430 mijë banorë, njoftoi Enti Republikan i Statistikave në Serbi. Procesi i regjistrimit sipas ERS të Serbisë, zgjatë rreth 30 minuta.
Në regjistrimin e 28-të popullsisë, amvisërive dhe banesave qytetarët në Serbi përgjigjen në 69 pyetje.
Realizimi i regjistrimi bëhet me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe kofinancim nga Qeveria e Serbisë.