Numërimi drejt fundit, Vuçiq udhëheq bindshëm / Photo: AA

Partia e Presidentit serb Aleksandër Vuçiq del të jetë fituese në zgjedhjet e së dielës të mbajtura në Serbi, kjo sipas rezultateve të para derisa numërimi i votave vijon.

Sipas rezultateve të azhurnuara këtë mëngjes nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK), bazuar në 7.659 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 8.273, lista "Aleksandar Vuçiq - Serbia nuk duhet të ndalet" ka fituar 47,1 për qind, gjegjësisht 1.615.967 vota

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” fitoi 23,04 për qind ose 790.298 vota.

Lista e "Ivica Daçiq - Kryeministër i Serbisë" ka 6,65 për qind ose 228.066 vota.

Në vendin e katërt është lista “Shpresë për Serbinë” me 4,45 për qind të votave, pasuar nga “Ne – Zëri i popullit” me 4.06 për qind.

Në këto zgjedhje ulëse në Kuvendin serb ka siguruar edhe koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” pasi sipas rezultateve të deritanishme ai ka fituar 0,39 për qind apo 13.355 vota.

Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vlladimir Dimitrijeviq, tha se rezultatet preliminare do të shpallen deri në orën 20:00

Presidenti i Serbisë Alekasandar Vuçiq duke kumtuar fitoren në këto zgjedhje mbrëmë para simpatizantëve të partisë së tij, e quajti këtë një fitore absolute për të cilën tha se është jashtëzakonisht i lumtur.

Serbia mbajti të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Në këto zgjedhje votuan edhe qytetarë serbë nga Kosova.

TRT Balkan / agjencitë