Aeroporti i Istanbulit u shërben mbi 317 milionë pasagjerëve në 6 vjet. / Foto: AA Archive

Aeroporti më i madh në Türkiye, Aeroporti iGA Istanbul, i shpallur më i miri në Evropë nga "Global Traveler", ka pritur mbi 317 milionë pasagjerë që nga hapja në vitin 2018.

Ky aeroport, i cili mbulon një sipërfaqe prej 76.5 kilometra katrorë, u hap zyrtarisht më 29 tetor 2018, me praninë e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, politikanëve turq dhe figurave ndërkombëtare.

Aeroporti iGA Istanbul e pozicionon Istanbulin si një qendër kryesore të aviacionit global, duke ofruar shërbime për udhëtarët dhe mallrat me terminale të gjera, zona doganore, pista të pavarura, mbi 100 opsione restorantesh dhe afërsisht 200 dyqane.

Aeroporti ka realizuar mbi 2,1 milionë fluturime nga 101 linja ajrore, duke transportuar rreth 1,4 milion tonë mallra. Ai ofron fluturime për më shumë se 120 vende, me 322 destinacione.

Sipas Eurocontrol, ky aeroport pati numrin më të madh të fluturimeve drejt Evropës gjatë viteve 2022-23, duke tejkaluar kryeqytetet kryesore evropiane.

Që nga hapja e tij, Aeroporti iGA Istanbul ka marrë disa çmime, përfshirë titullin "aeroporti më i mirë ndërkombëtar" nga 'Condé Nast Traveler' në 2022 dhe 2023, vendin e dytë në listën “10 Aeroportet më të Mira në Botë” nga ‘Travel and Leisure’ në 2021, dhe është njohur nga Skytrax si një nga 10 aeroportet më të mira në botë në vitin 2024.

TRT Balkan / agjencitë