Pas një ndërprerjeje 10-vjeçare, Aeroporti Ndërkombëtar i Mosulit në Irak pritet të rifillojë fluturimet vitin e ardhshëm pas mposhtjes së grupit terrorist DEASh.
Aeroporti i Mosulit u pushtua nga terroristët e DEASh-it në qershor 2014 dhe u përdor si bazë ushtarake gjatë sundimit të grupit terrorist. Në vitin 2017, forcat irakiane rimorën qytetin dhe aeroportin nga DEASh-i, duke shpallur fitore ndaj organizatës terroriste.
Pas rënies së DEASh-it, aeroporti i Mosulit është duke u rindërtuar nga dy kompani të mëdha turke, TAV İnşaat dhe 77 İnşaat. Menaxheri i projektit të aeroportit nga kompania 77 İnşaat, Mehmet Sinan Türkan tha se kompania mori me sukses kontrollin e projektit të aeroportit të Mosulit në shtator të vitit 2022. "Fillimisht u fokusuam në heqjen e mbeturinave dhe pastrimin e vendit të aeroportit të shembur", tha ai për Anadolu.
Türkan tha se riparimi i pistës së aeroportit filloi dhjetorin e kaluar. "Në mars, tre avionë C-130 u ulën me sukses në aeroportin e Mosulit", theksoi ai.
Türkan theksoi se ende është duke u zhvilluar ndërtimi i seksioneve të ndryshme në aeroportin e Mosulit, si objektet e shërbimit, kulla e kontrollit dhe muret e jashtme. "Rindërtimi i aeroportit do të përfundojë deri në fund të vitit 2024 dhe do të rihapet për fluturimet civile", shtoi ai.
Konsulli i Përgjithshëm turk në Mosul, Mehmet Küçüksakallı tha se rreth 4 milionë banorëve irakianë të provincës Nineveh, ku Mosuli është kryeqytet i provincës, u duhej të udhëtonin nga Mosuli në Erbil ose Bagdad për të arritur në destinacione të tjera ajrore vendase ose ndërkombëtare.
"Dy kompanitë turke, bashkë me inxhinierët dhe punëtorët turq, po bëjnë përpjekje të mëdha për të përfunduar rindërtimin e aeroportit sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi Küçüksakallı. Ai shtoi se autoritetet irakiane kanë ofruar lehtësitë e nevojshme për kompanitë, duke theksuar: "Besoj se projekti do të përfundojë sipas afatit".
Diplomati turk tha se shpreson që fluturimi i parë nga aeroporti i Mosulit do të niset për në Türkiye.