AFAD: Mbijetimet në ditën e 13-të na japin shpresë për të mos u dorëzuar / Photo: AA

Gjetja e njerëzve të mbijetuar në ditën e 13-të pas tërmetit jep shpresë për të vazhduar kërkimet nën rrënoja. Kështu tha kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave në Türkiye, AFAD. “Sot morëm përsëri lajme të mira nga operacionet e kërkim-shpëtimit. Kishim qytetarë që mbijetuan në ditën e 13-të. Kjo na solli shpresë dhe lumturi,” tha kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Türkiyes, Yunus Sezer. Siç tha ai, pas dy tërmeteve shkatërruese janë regjistruar mbi 5.700 tërmete të tjera. Sezer njoftoi se operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti kryesisht kanë përfunduar. "Dje në Hatay janë kryer operacione për kërkim dhe shpëtim në rreth 200 objekte. Sot ky numër është reduktuar në 98 dhe nga nesër edhe këtu do të arrijmë nga fundi. Po ashtu, na kanë mbetur 19 objekte në Kahramanmaraş. Puna jonë këtu, duke përfshirë lokacionin Ebrar, vazhdon”, shpjegoi Sezer. Ai tha se janë 13.000 njerëz që punojnë në kërkim dhe shpëtim në Hatay. Sezer falënderoi njësitet ndërkombëtare të kërkimit dhe shpëtimit të përbërë prej 11.488 njerëzve që erdhën nga 80 vende për mbështetjen e tyre. Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Türkiyen jugore ka shkuar në 40.642. Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në provincën Kahramanmaraş, goditën 11 provinca, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

TRT Balkan / agjencitë