Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Türkiyes, Hulusi Akar, njoftoi se të paktën dhjetë terroristë të YPG/PKK-së u neutralizuan në veri të Sirisë në një aksion që ishte një përgjigje ndaj një sulmi terrorist në të cilin u plagosën katër anëtarë të Forcave të Armatosura Turke në atë rajon.
“Ne do të vazhdojmë luftën kundër terroristëve pa u ndalur, me përkushtim dhe këmbëngulje. E përsërisim, si zakonisht, se kjo luftë do të vazhdojë deri në eliminimin e terroristit të fundit. Lufta vazhdon ende”, tha ministri turk Akar në Kayseri.
Katër ushtarë turq u plagosën në një sulm të kryer dje nga terroristët e YPG/PKK-së në veri të Sirisë.
Terroristët sulmuan bazat turke me mortaja të njëkohshme dhe raketahedhës të shumtë në zonat e Operacionit Dega e Ullirit dhe Operacioni Mburoja e Eufratit.
Akar tha se forcat turke iu përgjigjën sulmit dhe neutralizuan të paktën dhjetë terroristë.
Ai tha gjithashtu se ushtarët turq të plagosur janë dërguar në spital.
Që nga viti 2016, Türkiye ka kryer një sërë operacionesh të suksesshme anti-terroriste përgjatë kufirit të saj jugor përgjatë brezit kufitar verior në Siri për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të lehtësuar vendosjen paqësore të banorëve dhe kthimin vullnetar të refugjatëve. Këto ishin operacionet "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019).
PKK-ja është një organizatë separatiste që është në listën e grupeve terroriste në Republikën e Türkiyes, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Gjatë fushatës terroriste dhjetëvjeçare kundër Türkiyes, terroristët e PKK-së janë përgjegjës për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve.