Türkiye mbetet e përkushtuar në përpjekjet për të bindur Rusinë dhe Ukrainën për vendosjen e armëpushimit, tha Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar pas takimit të kabinetit të mbajtur në rezidencën presidenciale, nën kryesimin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Akar tha se Türkiye, nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, vazhdon aktivitetet e saj të ndihmës dhe krahas kësaj ka bërë thirrje për armëpushim humanitar, bisedime për armëpushim dhe paqe.
“Për këtë është shumë e rëndësishme që palët të bëhen bashkë. Kushtet që do të paraqesin palët është çështje që ato i dinë vetë, pasi janë shtete sovrane, të pavarura. Por, këtu shqetësimi i presidentit tonë dhe yni është që të vendoset sa më parë një armëpushim në dy vendet që janë fqinjët tanë dhe që të hapet rruga që shkon drejt stabilitetit dhe paqes. Sigurisht që ky është një proces. Përpjekjet e presidentit tonë vazhdojnë që nga dita e parë. Janë një kontribut dhe një vlerë e rëndësishme për paqen e botës. Këtë duhet ta kuptojë e gjithë bota”, tha ministri Akar.
Ministri Akar shprehu kritika mbi disa të cilët sipas tij përpiqen të shpërfillin përpjekjet intensive të Türkiyes.
"Përpjekjet e presidentit tonë dhe Türkiyes për korridorin e drithit, shkëmbimin e të burgosurve dhe çështjeve të tjera janë shumë të vlefshme. Këto janë vepra të rëndësishme edhe për NATO-n, për BE-në edhe për Evropën. Ky zjarr duhet të shuhet sa më parë. Ndonjëherë situata të tilla dalin jashtë kontrollit dhe mund të shkojnë në drejtime të papritura. Për t'i parandaluar këto, presidenti ynë vazhdon thirrjet e tij që ai ka bërë plotësisht me qëllim të mirë, duke menduar paqen rajonale si në aspektin humanitar, politik por edhe në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare", shtoi ai.
"Bisedimet Türkiye-Siri filluan me qëllim të mirë për paqen në rajon"
Akar theksoi gjithashtu se procesi i bisedimeve mes Türkiyes, Rusisë dhe Sirisë është me qëllim të mirë për marrëdhëniet me Sirinë dhe paqen në rajon.
“Urojmë që të zhvillohen nëpërmjet bisedimeve reciproke dhe të kthehen në një situatë që të kontribuojë për paqen, stabilitetin e rajonit”, tha Akar.
Ministri Akar më tej theksoi se Türkiye po punon për të gjetur zgjidhje ndaj luftës kundër terrorizmit dhe problemit të emigracionit.
"Ne urojmë që në fund të kësaj të ketë paqe, qetësi dhe stabilitet si dhe që vëllezërit tanë sirianë që kemi pritur në vendin tonë të kthehen në territoret e tyre në mënyrë vullnetare, të sigurt dhe të respektueshme, ashtu siç përmendet edhe në tekstet e OKB-së", tha ai.