Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, më 26 dhjetor, të enjten, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, ndërsa kjo vizitë do të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.
Sipas informacionit që Anadolu ka siguruar, ministri Bolat nesër do të niset për në Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar takime zyrtare dhe për të marrë pjesë në disa mbledhje.
Fillimisht Bolat do të takohet me ministrin e Jashtëm dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. Pas takimit ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Më pas ministri turk do të pritet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndërsa gjithashtu do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut.
Pas forumit, Bolat dhe Mickoski pritet të marrin pjesë në takimin e tryezës së rrumbullakët ku do të diskutohen mundësitë e bashkëpunimit, ku do të marrin pjesë edhe kompanitë turke të ndërtimtarisë.
Në kuadër të vizitës, Bolat do të marrë pjesë edhe në takimin e Këshillit Botëror të Biznesit Turk (DTIK) - Maqedoni e Veriut me biznesmenë turq që veprojnë në Maqedoninë e Veriut ndërsa një darkë do të organizohet nga Oda Ekonomike Maqedoni-Türkiye (MATTO).
Programi intensiv i ministrit Bolat synon të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.