Akar: Ushtarët turq që nga momenti i parë ishin pranë viktimave të tërmetit.     /Foto: AA 

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar mohoi pretendimet se ushtarët turq reaguan me vonesë për t’ ndihmuar të bllokuarve nën rrënoja pas dy tërmeteve shkatërruese që tronditën Türkiyen jugore më 6 shkurt.

"Këto pretendime të njëanshme që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe nuk mund të shpjegohen me mirëbesim. Pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe Forcave të Armatosura Turke u mobilizuan që në momentin e parë, mes tyre ushtarë, civilë, punëtorë dhe personel teknik, nxituan drejt atyre që kishin nevojë për ndihmë", tha Akar në provincën jugore Hatay.

Siç tha ai, tërmeti i parë, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Pazarcık të provincës Kahramanmaraş, ndodhi në orën 4:17 të mëngjesit me orën lokale.

"Qendrat operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, Tokësore, Detare dhe Forcave Ajrore, si dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare bënë atë që duhej bërë shpejt dhe kërkuan raporte nga trupat në orën 4:30 të mëngjesit", theksoi Akar.

Në të njëjtën kohë, u urdhërua përgatitja e komandës së brigadës së ndihmës humanitare të Forcave të Armatosura të Türkiyes.

"Në orën 05:00 u krijua Qendra e Krizave për Situatat Emergjente në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Türkiyes. Në të njëjtën kohë kanë filluar punën edhe qendrat e krizës në Shtabin Qendror dhe Komandat", tha Akar.

Të paktën 41.100 njerëz humbën jetën në dy tërmete të fuqishme që tronditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, njoftoi së fundmi kryetari i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD), Yunus Sezer.

Më shumë se 13 milionë njerëz u prekën nga tërmetet shkatërruese në Türkiye.

Tërmetet tronditën gjithë rajonin, ndërkaq në Sirinë fqinje më shumë se 3.600 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 14 mijë u lënduan.


TRT Balkan / agjencitë