Akar viziton rajonet e prekura nga tërmeti, armenët falënderojnë Türkiyen / Foto: AA

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar vizitoi fshatrat e rrethit Samandag të Hatayit, të cilat u prekën nga tërmetet e 6 shkurtit me qendër Kahramanmaraş. Akar, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Yaşar Güler, vizituan edhe lagjet Vakıflı ku jetojnë shtetas armenë.

Kryetari i komunitetit armen, Cem Çapar, i cili priti ministrin Akar, theksoi se “atdheu i tyre është Türkiye” dhe kritikat ndaj Ankarasë kanë qenë të padrejta.

"Nëse dikush vdes për një tokë, ai është atdheu. Gjyshërit tanë e mbaruan atë argument, ne vdesim për këtë atdhe. Türkiye është atdheu ynë”, tha Çapar.

Ai kritikoi deklaratat kundër Türkiyes, duke theksuar mbështetjen e shtetit për komunitetin armen pas tërmeteve të 6 shkurtit.

"Ata që sulmuan Türkiyen pas tërmetit e bëjnë këtë qëllimisht. Nuk më duken të sinqerta këto deklarata. Pas tërmetit, guvernatori ynë, shteti dhe e gjithë Türkiye, ishin gjithmonë me ne”. tha Cem Çapar.

Ministri Akar vizitoi edhe lagjen Hıdırbey, bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Güler.

Në një fjalim në këtë lagje, ministri turk i mbrojtjes theksoi se i gjithë shteti, qeveria, institucionet dhe qytetarët janë bashkë dhe do të shërojnë plagët nga “fatkeqësia e shekullit”.

“Duke punuar së bashku do t'i shërojmë plagët, nuk do të lejojmë foletë e sherrit dhe trazirave. Tërë Shteti qëndron pranë kombit të tij, derisa gjithçka të normalizohet”, tha Akar.

AA