Shefi i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Fahrettin Altun, ka deklaruar se beteja kundër luftës dhe propagandës terroriste është ndër prioritetet kryesore të Türkiye-s.
"Si Türkiye, beteja kundër luftës dhe propagandës terroriste është ndër prioritetet tona, si dhe forcimi i sigurisë sonë kombëtare dhe parandalimi i tragjedive humanitare në gjeografi të ndryshme", tha Altun në forumin e mbajtur në selinë e AA-së në Ankara.
"Në këtë periudhë, raportimi në mënyrë më të saktë i luftërave, krizave, tensioneve dhe konflikteve mes aktorëve global dhe rajonal është një nga aktivitetet më sfiduese të gazetarisë", tha Altun.
Ai shtoi se periudhat e luftës dhe krizës janë periudhat "më të hapura ndaj manipulimit, operacioneve të perceptimit dhe dezinformimit".
"Sigurisht, duhet të jetë një parim bazë që një gazetar të mos jetë instrument i propagandës së luftës dhe të mos i shërbejë politikave të persekutimit. Sepse gazetarët e ndërgjegjshëm mund të kontribuojnë në përfundimin e luftërave, konflikteve dhe krizave dhe kështu ata në fakt i shërbejnë paqes", tha Altun.
Ai shtoi se nuk duhet anashkaluar fakti se gazetaria e luftës mund të mundësojë edhe ndërgjegjësimin global për çështjet humanitare në rajone të ndryshme.
"Për shembull, unë e konsideroj brenda fushës së gazetarisë së paqes sjelljen në vëmendjen e publikut botëror tragjedinë e përjetuar nga emigrantët që iu nënshtruan trajtimit çnjerëzor të Greqisë", u shpreh ai.
Siç theksoi Altun, derisa Türkiye është e ekspozuar ndaj propagandës terroriste, vendi bën një përpjekje intensive për t’iu kundërvënë propagandës së zezë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ai gjithashtu falënderoi AA-në për prodhimin e lajmeve dhe imazheve mbi luftën e Türkiye-s kundër terrorizmit, luftën Azerbajxhan-Armeni dhe luftën Rusi-Ukrainë. Sipas tij, kjo tërhoqi vëmendjen e njerëzve në përgjithësi në mbarë botën.
Në selinë e AA-së në Ankara, me mbështetje të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, mbahet forumi i titulluar "Gazetaria e luftës dhe raportimi në zonat e krizave", ku marrin pjesë gjithsej 15 gazetarë ndërkombëtarë, të cilët më parë u trajnuan nga AA si korrespondentë të luftës, respektivisht nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Ukraina, Gjeorgjia, Pakistani, Etiopia, Azerbajxhani, Nigeria, Algjeria, Çadi, Kenia dhe Kirgistani.
Forumi i organizuar në selinë e AA-së në Ankara synon rritjen e interesit të anëtarëve të medias ndërkombëtare për Türkiye-n dhe të kontribuojë në promovimin e vendit duke ofruar ndërveprim midis korrespondentëve të huaj të luftës dhe atyre turq.
27 Tet 2022
Altun: Beteja kundër luftës e propagandës terroriste prioritet i Türkiye-s
Në selinë e AA-së në Ankara, me mbështetje të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, mbahet forumi i titulluar "Gazetaria e luftës dhe raportimi në zonat e krizave", ku marrin pjesë gjithsej 15 gazetarë ndërkombëtarë.
AA
Lajme të ngjashme
Fidan: Türkiye e kënaqur me bisedimet për paqe Azerbajxhan-Armeni
"Ne mirëpresim përparimin pozitiv të marrëveshjeve të përhershme të paqes dhe përcaktimit të kufijve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në Baku.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.