Ekzistojnë disa aktorë që besojnë se do të ishte mirë për ta nëse lufta (në Ukrainë), do të zgjaste sa më shumë. Ata mendojnë se "nëse lufta vazhdon, Rusia do të dobësohet" dhe u japin mbështetje ukrainasve aq sa për të zgjatur luftën. Türkiye (Turqia), nuk ka qenë kurrë dhe as do të jetë një prej tyre. Duhet të besojmë në paqe dhe të përpiqemi për paqen, ka thënë Fahrettin Altun, kreu i Zyrës së Komunikimit të Presidencës Turke.
Përpara samitit të tretë ndërqeveritar turko-italian që do të mbahet më 5 korrik, Altun iu përgjigj pyetjeve të gazetës italiane "Il Messaggero".
Ai nënvizoi se qëllimi i Türkiye-s në të gjitha rrethanat gjatë luftës ruso-ukrainase është të kontribuojë për paqe të drejtë.
Duke rikujtuar se Türkiye po bën përpjekje për të siguruar paqen në Ukrainë dhe i pyetur nëse është e mundur të përfundojë lufta dhe të arrihet një marrëveshje paqeje, Altun tha se vendi i tij ka një pozicion të veçantë dhe se nën udhëheqjen e fortë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, që nga fillimi i krizës në Ukrainë përpiqet të përdorë këtë fuqi për paqe.
Duke deklaruar se me zbatimin e Konventës së Montreux me fillimin e luftës në Ukrainë, ata ndaluan kalimin e anijeve luftarake në Detin e Zi, Altun vuri në dukje gjithashtu se kanë dërguar një sasi të konsiderueshme ndihme humanitare për popullin e Ukrainës.
"Sot kur aktorët që duan të legjitimojnë pozicionin e tyre duke kritikuar Türkiye-n, ndërsa nuk kanë bërë asgjë për Ukrainën, ne ishim aty. Fakti që mijëra ukrainas ikën nga lufta dhe sollën familjet dhe kompanitë e tyre në Türkiye është treguesi më konkret i besimit në Turkiye. Të gjithë këta faktorë na mundësuan të flasim si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë. Si faktor stabilizues, përgjegjësia e Türkiye-s në këtë proces ishte të mbante të hapura kanalet e dialogut midis palëve", tha Altun, duke shtuar:
"Siç e dini, për herë të parë ulëm ministrat e Jashtëm të dy vendeve në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya. Qëllimi i Türkiye-s është të kontribuojë për paqen e drejtë në të gjitha rrethanat. Nga ana tjetër, ka aktorë që besojnë se do t'u vinte mirë zgjatja sa më shumë të jetë e mundur e luftës. Ata mendojnë se 'nëse lufta vazhdon, Rusia do të dobësohet' dhe u japin mbështetje ukrainasve aq sa për të zgjatur luftën. Türkiye nuk ka qenë kurrë dhe as do të jetë një prej tyre. Ne duhet të besojmë në paqe dhe të përpiqemi për paqen".
Vazhdojmë të punojmë për një paqe të drejtë
I pyetur nga gazetari "A mendoni se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të ndalojnë t'i japin armë Ukrainës?", Altun u përgjigj:
"Këtë pyetje duhet t'ua bëni përfaqësuesve të BE-së dhe zyrtarëve amerikanë. Këtu është e rëndësishme që përpjekjet serioze, të sinqerta dhe realiste të kenë përparësi para sloganeve dhe titujve. Shtetet nuk mund të përcaktojnë politikat e tyre bazuar në atë që shkruhet në mediat sociale", tha
Duke vënë në dukje se Türkiye thekson hapur se integriteti territorial dhe uniteti politik i Ukrainës duhet të ruhet në çdo rast, Altun shtoi:
"Ne kemi thënë se hapja e debateve për kufijtë do të sjellë vetëm gjak, lot dhe shkatërrim. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të punojmë për një paqe të drejtë".
I pyetur nëse sanksionet janë mënyrë e mirë për të ndaluar presidentin rus Vladimir Putin, Altun tha se çështja e sanksioneve është politizuar seriozisht vitet e fundit.
"Ju e dini se edhe Türkiye i është nënshtruar disa sanksioneve me arsyetime të parëndësishme dhe motive politike. Në fakt, disa sanksione të motivuara politikisht janë vendosur ndaj industrisë sonë të mbrojtjes, të cilën Perëndimi e lavdëron sot. Për këtë arsye, besojmë se sanksionet do të jenë kuptimplote dhe legjitime vetëm nëse vendosen nën kujdesin e OKB-së", tha Altun dhe vazhdoi:
"Sot, Bashkimi Evropian flet më së shumti për sanksione kundër Rusisë. Por, që kur filloi lufta, ata kanë paguar qindra miliarda euro fatura të energjisë. Nuk mund t'i thonë asnjë fjalë Greqisë, e cila transporton pjesën më të madhe të naftës së Rusisë në botë. Për më tepër, në këtë periudhë kritike, Greqia po dobëson krahun jugor të NATO-s duke armatosur ishujt e Egjeut në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Perëndimi duhet t'i japë fund këtij qëndrimi ambivalent përpara se të presë rezultatet e lëvizjeve të caktuara".
Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO
Një nga pyetjet i referohej edhe qëndrimit të Türkiye-s për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, gjë që vendi e kundërshton.
“Për ne anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është një çështje që ka të bëjë vetëm me Suedinë dhe Finlandën, nëse këto vende, të cilat janë neutrale prej shumë vitesh, do të pranohen në NATO, ne do të angazhohemi që t'i mbrojmë sipas nenit 5. Prandaj ne duhet të shohim se këto vende kanë përcaktuar saktësisht vlerat dhe qëllimet e NATO-s dhe në të njëjtën kohë janë të orientuara për sigurinë e popullit turk. Një nga prioritetet e aleancës sonë është lufta kundër terrorizmit", tha Altun.
"Përkundër faktit që është në listat e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian, PKK nuk është penguar të mbledhë para, të rekrutojë militantë dhe të kryejë propagandë në vendet në fjalë si dhe të sigurojë një strehë të sigurt për YPG-në, degën siriane të PKK-së dhe FETO-n, e cila është përpjekur të kryej grusht shteti në Türkiye. Nuk mund të pajtohemi me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO derisa të bindemi se janë ndërmarrë hapa të përhershëm dhe konkretë për këto çështje”, tha Altun.
I pyetur se çfarë mund të bëjnë Italia dhe Türkiye së bashku për çështjet ekonomike, të luftës dhe të refugjatëve, Altun tha se si dy vende anëtare mesdhetare të NATO-s ata përballen me probleme të ngjashme dhe se ka shumë fusha bashkëpunimi midis dy vendeve.
“Në interesin e përbashkët të Türkiye-s dhe Italisë është të luftojnë migrimin e parregullt dhe të ruajnë paqen dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor”, përfundoi Altun.