Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan foli kohët e fundit me telefon me homologun e tij amerikan Joe Biden, gjatë të cilit u diskutuan çështjet kyç që lidhen me krizën në Gaza, tha të enjten Drejtori i Komunikimit Fahrettin Altun.
“Çështja më themelore gjatë kësaj periudhe është brutaliteti, gjenocidi dhe shtypja që po ndodh në Gaza nga Izraeli. Këtu, presidenti ynë i nderuar zbuloi edhe një herë tezat e tij dhe të vërtetën, të cilat i përsëriti fuqishëm para gjithë botës”, tha Altun, duke folur për kanalin turk të lajmeve NTV.
“Ai theksoi se 19.000 njerëz kanë vdekur, ku dy të tretat janë gra dhe fëmijë. Në këtë drejtim, presidenti ynë bëri thirrje urgjente për një armëpushim të menjëhershëm në një mjedis ku bombardohen shkollat, spitalet, kishat dhe xhamitë dhe një masakër kaq e madhe po vazhdon”.
Altun theksoi se që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në Gaza më 7 tetor, presidenti Erdoğan ka ndjekur diplomaci shumë të fortë për paqen.
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj fushatave dezinformuese të Izraelit që synojnë Palestinën.
"Që nga 7 tetori, Izraeli është përpjekur jo vetëm të vrasë civilë, duke përfshirë gra të pafajshme, fëmijë, të moshuar, gazetarë, punonjës të kujdesit shëndetësor dhe personel të OKB-së, por edhe të vërtetën. Ata janë duke ndjekur me këmbëngulje politikën e të gënjyerit përpara syve të botës”, tha ai.
Altun theksoi se kauza palestineze është luftë globale për drejtësi, jo vetëm për popullin palestinez, duke vënë në dukje se OKB-ja nuk mund të parandalonte sulmet e Izraelit në Gaza.
Gjatë telefonatës së tyre, Presidenti Erdoğan i tha Bidenit se është "përgjegjësi historike" e Amerikës të sigurojë një armëpushim të përhershëm në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai tha se një armëpushim mund të arrihet shpejt nëse ShBA-ja tërhiqte "mbështetjen e pakushtëzuar" për Izraelin.
Erdoğan i tha Bidenit se tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalet dhe paralajmëroi se thellimi dhe zgjatja e sulmeve të Izraelit mund të ketë "pasoja negative rajonale dhe globale".
Ai nënvizoi nevojën për krijimin e një mekanizmi garantues, siç sugjerohet nga Türkiye, për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Presidenti Erdoğan theksoi se krijimi i një shteti të pavarur dhe sovran palestinez me Jerusalemin si kryeqytet të bazuar në kufijtë e vitit 1967 është “zgjidhja më e arsyeshme dhe e përhershme”.