Altun: Duhet unitet për të marrë vëmendjen e botës ndaj krizës në Palestinë.     /Foto: Republic of Türkiye Directorate of Communications/X

Në një apel për unitet dhe solidaritet, Drejtori i Komunikimeve i Türkiyes Fahrettin Altun bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për të adresuar krizën në përshkallëzim në Palestinë.

Në cilësinë e Kryetarit të Konferencës së 12-të të Ministrave të Informacionit të OBI-së, Altun u dërgoi një letër ministrave të Informacionit të vendeve anëtare të organizatës duke adresuar sulmet dhe fushatat dezinformuese që synojnë Palestinën.

Ai në letrën e tij thekson se përpjekja kolektive do të jetë vendimtare për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj Palestinës, duke shtuar se lufta kundër dezinformimit të Türkiyes duhet të shoqërohet nga vende të tjera myslimane.

Altun mbajti një qëndrim të prerë kundër organizatave ndërkombëtare të medias që, ndonjëherë, kanë minimizuar shkeljet e të drejtave të njeriut në rajon. Ai pohoi se është thelbësore të luftohet shtrembërimi i fakteve dhe të portretizohen me saktësi ngjarjet në Palestinë.

“Në këtë periudhë ku faktet janë bërë të paqarta dhe dezinformimi i përhapur mashtron publikun, ne u bëjmë thirrje ministrave të Informacionit të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) të rrisin përpjekjet tona të përbashkëta në luftimin e dezinformatave në lidhje me sulmet ndaj palestinezëve, pa diskriminim”, ai tha.

Duke shprehur mbështetjen e palëkundur të Türkiyes për të drejtat e popullit palestinez, Altun dënoi sulmet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit dhe, bëri thirrje për një armëpushim pa kushte. “Türkiye mirëpret përpjekjet për të mbështetur kauzën palestineze dhe për t'i dhënë fund shtypjes barbare kundër civilëve në botën islame”, tha ai.

Altun po ashtu e potencoi dënimin kolektiv të vendosur ndaj popullatës palestineze, të privuar nga nevojat themelore si ushqimi, uji dhe energjia elektrike.

Drejtori i Komunikimeve i Türkiyes mes të tjerash e theksoi nevojën urgjente që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa kundër këtyre shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, duke pranuar ashpërsinë e situatës në të cilën mijëra fëmijë kanë humbur jetën.

“Türkiye e sheh shqetësimin që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk është në gjendje të përmbushë përgjegjësitë e tij”, tha ai.

“Bota nuk duhet të harrojë se të drejtat e njeriut janë të vlefshme për të gjithë”.

Dezinformimi nxit islamofobinë

Drejtori theksoi rëndësinë e luftimit të islamofobisë, e cila shpesh lulëzon nga dezinformata. Në kontekstin e konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit, ai vuri në dukje se sulmet raciste dhe gjuha e urrejtjes kundër myslimanëve mund të përhapen gjerësisht.

Ai argumentoi se ky skenar, i përkeqësuar nga dezinformimi, kërkonte përpjekje inovative dhe të koordinuara globalisht për të luftuar islamofobinë dhe i bëri thirrje gjithë botës ta njohë islamofobinë si një krim urrejtjeje dhe të punojë kundër saj në mënyrë aktive.

“Kjo luftë nuk është vetëm detyrë e myslimanëve, por edhe një nga përgjegjësitë thelbësore të bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Altun.

Sulme raciste, gjuhë urrejtjeje kundër myslimanëve

“Ne duhet të pranojmë se mjedisi i informacionit është i mbushur me narrativa të rreme që fshehin shkelje të ligjit ndërkombëtar. Paralelisht me konfliktet e fundit midis Palestinës dhe Izraelit, ne po kalojmë një periudhë ku sulmet raciste dhe gjuha e urrejtjes kundër myslimanëve mund të përhapen gjerësisht”, shkruan Altun.

Duke thënë se ndjenjat islamofobike të nxitura qëllimisht nga dezinformimi mund të bëhen më të theksuara në mjedise të tilla konflikti, Altun theksoi se si anëtarë të OBI-së, ata kanë një rol kryesor në udhëheqjen e kësaj përpjekjeje.

Thirrjen e tij drejtuar ministrave të Informaciont të OBI-së e mbyll duke e ftuar të gjithë komunitetin ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime kundër brutalitetit që po shpaloset në Gaza.

Ai shprehu besimin në mbështetjen e vlefshme të ministrave të Informacionit të OBI-së për iniciativat që synojnë të luftojnë islamofobinë në skenën ndërkombëtare dhe aftësinë e tyre për të kontribuar në ndalimin e masakrës së vazhdueshme në Gaza.


TRT Balkan / agjencitë