Drejtori i komunikimeve në Presidencën e Türkiyes, Fahrettin Altun, ka kritikuar Perëndimin për ndalimin e dy gazetarëve turq në Gjermani lidhur me raportimet e tyre kundër organizatës terroriste FETO, grupit që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016 në Türkiye.
"Të verbrit që drejtojnë të verbrit! Ashtu si operacioni i paturpshëm që shënjestron gazetarët turq që veprojnë legalisht në Gjermani, edhe ata që heshtin kanë bërë diçka krejtësisht të papranueshme", shkroi Altun në Twitter.
Më herët, korrespondenti i ‘TRT World’ në Washington kërkoi nga zv.zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel, të komentojë rreth arrestimit të gazetarëve turq në Gjermani.
Patel nuk pranoi të komentojë, duke theksuar se nuk i di "specifikat e këtij rasti".
Altun tha se ata që "guxojnë t’i japin leksione Türkiyes, ku qindra gazetarë të huaj punojnë lirshëm, në çdo hap kanë zbuluar fytyrën e vërtetë të të ashtuquajturave vlera të tyre sot".
"Mesazhi ynë është i qartë. Në një mënyrë ose tjetër, ju do të pajtoheni me faktin se Türkiye do të vazhdojë të jetë shtet i madh që mbron qytetarët e saj dhe do të mbajë përgjegjës këto që guxon t’i lëndojë ata nën udhëheqjen e fortë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan", tha Altun.
İsmail Erel dhe Cemil Albay, gazetarë që punojnë për të përditshmen turke ‘Sabah’, u ndaluan në orët e para të së mërkurës, pasi dhjetëra policë bastisën shtëpitë e tyre në qytetin gjerman Frankfurt.
Nga policia gjermane gjithashtu iu sekuestruan telefonat, laptopët dhe pajisjet elektronike për ruajtje të të dhënave. Ata u liruan disa orë pas ndalimit.