Drejtori i komunikimeve i Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun, ka theksuar përgjegjësinë e mediave për përmirësimin e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Athinës.
Në fjalimin e tij nëpërmjet një video-mesazhi gjatë forumit të 2-të të Medias dhe Akademisë Greko-Turke në Athinë, ku morën pjesë diplomatë, gazetarë dhe studiues turq dhe grekë, Altun tha: “Ne duhet të zhvillojmë një qasje të re në fushën e komunikimit dhe medias, duke anuar nga e vërteta kundrejt përpjekjeve për të shkëputur lidhjet e Türkiyes dhe Greqisë".
Altun gjithashtu tërhoqi vëmendjen për peizazhin mediatik që është shfaqur pas konfliktit Izrael-Palestinë më 7 tetor, duke theksuar: “Ngjarjet në Gaza kanë treguar edhe një herë se sa shkatërruese është dhe mund të jetë për njerëzimin përmbajtja e pavërtetë dhe manipuluese mediatike, ndaj së cilës është ekspozuar opinioni”.
Duke komentuar vizitën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në kryeqytetin grek më 7 dhjetor, Altun tha se miratimi i Deklaratës së Athinës për Marrëdhëniet Miqësore dhe të Fqinjësisë së Mirë shënon fillimin e një faqeje të re në marrëdhëniet dypalëshe.
“Ne, Republika e Türkiyes, besojmë se nuk ka çështje që nuk mund të zgjidhet me fqinjët tanë të afërt, si Greqia, me të cilën kemi një histori të përbashkët dhe kulturë të ngjashme”, tha ai.
Lidhur me 15 marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit që u nënshkruan gjatë vizitës, Altun tha: “Jemi të kënaqur që shohim mundësi dhe perspektiva të shumta për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në një sërë fushash, duke përfshirë ekonominë, tregtinë, transportin, energjinë, shëndetësinë, teknologjinë, arsimin dhe rininë”.
Përveç marrëveshjeve të nënshkruara, Greqia kishte njoftuar gjithashtu se do të ofrojë një skemë të lehtësuar vizash për qytetarët turq deri në shtatë ditë për 10 ishuj grekë në Egjeun Lindor.