Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se heshtja e Perëndimit ndaj sulmeve të Izraelit nënkupton miratimin e paligjshmërisë në mbarë botën.
"Të heshtësh ndaj paligjshmërisë së Izraelit në Gaza është e barabartë me dhënien e 'dritës së gjelbër' ndaj paligjshmërive të tjera në mbarë botën", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij boshnjak, Elmedin Konakoviq.
Fidan theksoi se sulmet çnjerëzore në Gaza vazhdojnë ende dhe se kjo që po ndodh është me të vërtetë një "burim turpi".
"Për të thyer rezistencën, bombardohen xhamitë, spitalet dhe shkollat dhe ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur me ato sulme. Unë u bëj thirrje vendeve perëndimore të mos jenë partnerë në krim duke heshtur", shtoi ai.
Siç theksoi ai, heshtja e plotë e vendeve perëndimore ndaj brutalitetit në Gaza është alarmante.
Bota nuk mori mësim nga ndodhitë në Bosnjë e Hercegovinë
Kryediplomati boshnjak Elmedin Konakoviq në fjalimin e tij theksoi se fotografitë që shpërndahen nga Gaza ai i ka parë 30 vite më parë në Bosnjë e Hercegovinë.
“Jam prej pjesëmarrësve në mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës, kam kaluar katër vjet duke mbrojtur atdheun tim dhe fotografitë që shihni sot në Gaza, vetëm 30 vjet më parë, ne i pamë në Bosnjë e Hercegovinë ku u krye gjenocidi në zonat e mbrojtura të Kombeve të Bashkuara për shkak të inertitetit të gjithë botës dhe komunitetit ndërkombëtar. Por, për fat të keq, ato imazhe nuk i mjaftuan botës për të nxjerrë një mësim dhe ato po përsëriten sot në territorin e Ukrainës dhe Gazës", tha Konakoviq.
Që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 11.500 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite.
Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është 1.200.